Lajme

Propozohet marrëveshje për pranimin e fajësisë mes prokurorisë dhe të akuzuarit për fotografim dhe incizim të paautorizuar e mospërfillje të gjykatës

11/17/2022 13:36
nga:G B

Mbrojtësi i të akuzuarit U.A, avokati Edison Simani në seancën e së enjtes, ka propozuar që seanca të shtyhet, pasi që është deponuar propozimi për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë me prokurorin, në rastin ku  U.A po akuzohet se ka kryer veprat penale “Fotografim dhe incizim i paautorizuar” si dhe “Mospërfillja e gjykatës”.

Në fillim të shqyrtimit fillestar, para deklarimit rreth fajësisë, avokati Simani, ka deklaruar që pas konsultës së bërë, kanë konsideruar se për veprën penale për të cilën ngarkohet i akuzuari, është deponuar në prokurori propozimi për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Andaj, tutje ka propozuar që seanca e sotme të shtyhet për një kohë të arsyeshme, me qëllim që të kenë kohë për negocimin për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë me prokurorinë.

Prokurorja Rozelida Manastiri nuk e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit lidhur me arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Më pas, gjykatësi i çështjes, Nexhat Aliu ka aprovuar propozimin e mbrojtësit të të pandehurit, që seanca e sotme të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër, me qëllim mbrojtësit të të pandehurit t’i mundësohet negocimi me prokuroren, për arritjen e marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Në këto rrethana, seanca u shty në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2022 nga Prokuroria Themelore në Gjilan, U.A, akuzohet se më 27-30 gusht 2022, në kohë të papërcaktuar, me dashje dhe qëllim të ushtrimit të presionit, të dëmtimit të nderit dhe autoritetit të të dëmtuarës-bashkëshortes së tij NN, pa autorizimin e saj, ka kaluar, shfaqur dhe u ka dhënë qasje personave të tretë në foto dhe video të të dëmtuarës.

Aktakuza thotë se i mllefosur për shkak të prishjes së martesës nga ana e të dëmtuarës, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të autoritetit të saj, ka kërcënuar privatësinë dhe personalitetin e të dëmtuarës, ashtu që fillimisht nga numri i tij ka hapur një llogari në rrjetin social “Instagram” nga e cila ka shfaqur, kaluar, postuar e publikuar foto intime, nudo të të dëmtuarës NN, si dhe një video-incizim gjatë aktit seksual, që vetëm ai e ka pasur që ishte bërë gjatë martesës së tyre, në shtëpinë e tij, në dhomën e tyre, pamje këto që dëmtojnë nderin dhe autoritetin e saj, cilat ua ka dërguar familjarëve të saj dhe në këtë mënyrë me veprimet e tij, ka cenuar thelbësisht privatësinë e të dëmtuarës.

Me këtë, U.A, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara nga neni 202, par.2 të Kodit Penal.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, më 27 -30 gusht 2022 në kohë të papërcaktuar, i pandehuri, me dashje dhe qëllim të mospërfilljes së aktvendimit për urdhërmbrojtje C.nr. 447/2022 të Gjykatës Themelore në Gjilan, Dega në Viti, ka shqetësuar të dëmtuarën, bashkëshorten e tij NN, në atë mënyrë që edhe pse ka qenë i njoftuar me përmbajtjen e aktvendimit se i ndalohet shqetësimi në çfarëdo forme ndaj të dëmtuarës, i njëjti nuk e ka përfillur atë.

Me këtë, U.A, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, paragrafi 1 të Kodit Penal.