Lajme

Takimi i Osmanit me shefin e EULEX-it, Presidenca jep detaje se çka u bisedua

11/08/2022 16:55
nga:G B

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me shefin e EULEX-it, z. Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veri, raporton Gazeta Blic.

Përmes një njoftimi për media, Presidenca ka njoftuar se Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit dhe ka vlerësuar koordinimin e vazhdueshëm me EULEX-in.

Njoftimi i plotë:

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, z. Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit si dhe bashkëpunimin e institucioneve shtetërore me ato ndërkombëtare.

Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe për sigurimin e mbarëvajtjes dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka vlerësuar koordinimin e vazhdueshëm me EULEX-in.