Komisioni Evropian ka publikuar sot raportin për Kosovën në vitin 2022, në të cilin ka nënvizuar të arriturat dhe ngecjet në vend.
Në raport, Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pa vonesa dhe pengesa.
Në këtë raport nga Komisioni Evropian kanë thënë se autoritetet e Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprime për themelimin e Asociacionit, andaj i kërkohet themelimi i saj. (Raporti i plotë)
Sipas raportit, nuk ka pasur progres të mëtejshëm në zbatimin e marrëveshjeve të 25 gushtit të vitit 2015.
“Kur është fjala për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të Dialogut: Zbatimi i plotë i marrëveshjes për drejtësinë e nxjerrë nga prilli i vitit 2013 “Marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”, vazhdon të kërkojë përpjekje të mëtejshme nga autoritetet e Kosovës pasi Kosova nuk respekton disa dispozita të marrëveshjes; Nuk ka pasur progres të mëtejshëm në zbatimin e Marrëveshjeve të 25 gushtit 2015”, thuhet në raport.
“Autoritetet e Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprime për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Kosovës i kërkohet të angazhohet në mënyrë konstruktive në themelimin e saj pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”, thuhet më tutje.
Në këtë raport përmendet sistemi gjyqësor në vend, ku thuhet se administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë dhe joefikas.
“Kosova është ende në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor që funksionon mirë. Ndërsa disa është bërë progres, administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i pambrojtur ndaj ndikimeve të panevojshme. Janë ndërmarrë hapa për të filluar zbatimin e strategjisë së sundimit të ligjit dhe planin e veprimit dhe për të reformuar kuadrin legjislativ që rregullon sistemin prokurorial për ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në raport.
Sipas raportit, Qeveria duhet angazhuar që ta zbatojë opinionin e Komisionit të Venecias për Vettingun.
“Reforma në drejtësi duhet të adresohet para së gjithash duke përmirësuar zbatimin e mjeteve ekzistuese për të ruajtur integritetin, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Angazhimi i qeverisë për të zbatuar plotësisht Opinionin e Komisionit të Venecias për koncept dokumentin për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet tutje.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, në dokument thuhet se nevojiten hetime më aktive dhe aktvendime përfundimtare për konfiskimin e pasurisë.
“Gjatë periudhës raportuese, është bërë njëfarë progresi me miratimin e legjislacionit të rëndësishëm kundër korrupsionit. Ekziston nevoja për të përmirësuar zbatimin e ligjit të përgjithshëm kornizë. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të arritur hetime më proaktive, gjykime përfundimtare vendime dhe konfiskimin përfundimtar të pasurisë”, thotë raporti.
Madje, thuhet se aktualisht ka një vullnet të fortë politik për trajtimin efektiv të rreziqeve të korrupsionit si dhe reagimit të drejtësisë ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.
Ndërkaq, për luftën kundër krimit të organizuar thuhet se është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre rasteve.
“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar dhe është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Mjetet e fuqishme të parashikuara nga Kodi Penal dhe Ligji për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht”, thuhet tutje.
Në këtë dokument thuhet se janë zhvilluar disa operacione që synonin krimin e organizuar, teksa potencohet se sfiduese në këtë vazhdon të jetë Veriu i Kosovës.
“U zhvilluan një sërë operacionesh të suksesshme që synonin krimin e organizuar, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërkufitar. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese”, thuhet në raport.
Gjithashtu është përmendur edhe lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmi ku theksohet se ka pasur përparim në përputhje me objektivat e përcaktuara në marrëveshjen mes BE-së dhe Kosovës.
“Autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave dhe ligji në fuqi duhet të jetë në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Në raport është kritikuar Kuvendi i Kosovës për menaxhim të dobët të agjendës legjislative.
Nga Komisioni është thënë se puna e Kuvendit të Kosovës mbetet e ndikuar negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe vështirësi në arritjen e kuorumit vendimmarrës.
“Kosova gëzon stabilitet politik, ku Qeveria ka një shumicë solide në Kuvend. Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur një kuorum vendimmarrës, ndonëse Qeveria ka një shumicë të fortë. Kjo është pjesërisht për shkak të menaxhimit të dobët të agjendës legjislative nga ana e shumicës, por edhe për shkak se anëtarët e opozitës në Kuvend kanë abstenuar nga votimi për të penguar miratimin e ligjeve”, thuhet në raport.
Në raport u lavdëruan zgjedhjet komunale të vitit të kaluar, për të cilat u tha se kanë qenë mirë të organizuara, transparente dhe konkurruese.
“Procesi zgjedhor në Kosovë ende ka nevojë për një fuqizim gjithëpërfshirës për t’i adresuar dobësitë e kahershme gjatë ciklit elektoral, siç janë identifikuar nga misionet e BE-së për vëzhgim të zgjedhjeve që nga viti 2014”, thuhet në raport.
Në raport situata në veri të Kosovës u cilësua si tejet sfiduese.
“Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar, dhe kushteve për liri të shprehjes”, thuhet në raport.
Për dialogun me Serbinë, raporti përmend marrëveshjen për energjinë e atë për letërnjoftimet. Është kërkuar konstruktivitet më i madh nga Kosova.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja në normalizimin e raporteve me Serbinë ka vazhduar me takime të rregullta mujore në nivel të shefave të ekipeve negociatore dhe në nivel të lartë në takimin më 18 gusht 2022. Palët miratuan një Udhërrëfyes për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në qershor të 2022-s dhe u pajtuan për udhëtimin vetëm me letërnjoftime në mes të Kosovës dhe Serbisë, në gusht 2022. Kosovës i nevojitet të angazhohet më konstruktivisht dhe të bëjë përpjekje të mëtejme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të së kaluarës dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të normalizimit, ligjërisht të detyrueshme me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare për t’ua mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në raport.


