Për shkak se trupi gjykues ishte i angazhuar në seanca tjera, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, Mentor Avdylaj, i cili akuzohet se kishte marr 2 mijë euro ryshfet me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të një personi, që ishte në vuajtje të dënimit.
Në këtë rast, për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit, akuzohet edhe Astrit Lajqi, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
‘‘Shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale i caktuar për orën 13:10 të ditës së sotme nuk mund të mbahet pasi që trupi gjykues deri më tani ishte në një seancë të shqyrtimit gjyqësor ku patjetër është dashur të dëgjohet një dëshmitar që udhëton jashtë shtetit dhe nuk e di se kur kthehet, ndërsa nga ora 14:10 ka seancë të shqyrtimit gjyqësor ku i pandehuri është në paraburgim’’, ka thënë kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar më 21 nëntor 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylaj për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, dhe Astrit Lajqit për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit.
Sipas aktakuzës, Avdylaj më 12 mars 2018, në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari Bajram Hoti.
Në aktakuzë thuhet se Avdylaj 2,000 euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të Shpejtim Hotit, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Ndërsa, i akuzuari Lajqi dyshohet se kishte marrë 2,000 euro ryshfet nga Bajram Hoti, në prani të dëshmitarit Sherafedin Qerimi dhe ia kishte dërguar Avdylajt.


