Ish-inspektori i përgjithshëm në AKI Shkëlzen Sopjani thotë se informacioni për atentat ndaj Albin Kurtit nuk është i ri.
Sopjani në “Debat Plus” në RTV Dukagjini thotë se një informacion i tillë ka qenë publik edhe vitin e kaluar.
“Kryeministri kishte rritur masat e sigurisë. Kjo gjë ishte bërë publike edhe në media”.
Ai thotë se personi që është përfolur se do të kryejë atentatin nuk ishte i profilit të lartë dhe dyshon se do të kishte mundësi për kryerje të atentatit.
“Personi i tillë nuk është as në paraburgim e as që janë marrë veprime ndaj tij. Personit në fjalë i janë bërë bastisje dhe në bazë të informatave nuk është se i është gjetur snajper. Atij i është gjendur vetëm një pushkë gjuetie”.
Autoritetet e sigurisë kanë marrë disa masa të mira duke shtuar sigurinë e kryeministrit dhe ka mbaruar me kaq.
“Po të ishte diçka më serioze do të kishte më shumë veprime nga prokuroria, drejtësia e kështu me radhë. Kjo temë nuk do të duhej bërë shumë mediatike për vet faktin se është ngjarje e vitit të kaluar. Por ky informacion që ka rrjedhë pas sulmit të hakerëve e risolli vëmendjen”, tha Sopjani.


