Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur në një dëgjesë publike kreun e KOKSH, atë të FSHF-së, federatave të tjera sportive për problematikën e basteve në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre.
Në fjalën hapëse, Rama theksoi se bastet kanë qënë një e keqe e madhe, ndaj edhe u mbyllën në 1 janar 2019. Tanimë propozimi për formalizimin dhe rihapjen ka marrë masa konkrete, me Ramën që cek se nga bastet vijnë të ardhura të mëdha.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se po konsiderohen bastet online, duke sjellë në vend tre kompanitë e basteve më të mëdha në Europë, që kanë licencë.
“Nuk do kthehemi në asnjë mënyrë te sallonet e basteve, lojrat apo te makinetat. Konsiderata është te bastet online. Paçka dënimeve dhe arrestimve, ky fenomen nuk ka rënë. Ky reflektim i sotëm është i domosdoshëm.
Ka shumë diskutime mbi bastet online. Salla parazitësh ku mblidhen njerëzit dhe hedhin në erë kursimet, nuk do ketë.
Nga konsultimet që kemi bërë, veç rrjeteve informale të aktivitetit në të zezë që janë online, është edhe fenomeni i futjes së kompanive ndërkombëtare në Shqipëri, ose i futjes së rezidentëve shqiptarë në faqet e tyre.
Licencimi i tre prej tyre e bën më të pamundur edhe pjesën e zezë, pasi futet në lëvizje mekanizmi i mbrojtjes së konkurrencës në Europë. Sespe nuk mund t’i futesh tjetri aty ku ai ka licencë. Xhungla digjitale është e tillë që është e pamundur të vendosësh sinjalistikë, nuk i pengon dot majmunët e paligjshëm që futen në këtë xhungël”, tha Rama.


