Lajme

Vuçiq vendos kushte për dokumentet e Kosovës: I pranojmë me shtojcën ku shkruan se nuk e njohim pavarësinë

08/27/2022 11:52
nga:Astrit Gashi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri me dije se është gati të heq praktikën e pajisjes me formular shtesë të qytetarëve që me dokumente të Kosovës hyjnë në Serbi.

Sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Vuçiq tha se ato mund të lëshohen, por shtoi se për Serbinë është e rëndësishme që serbët nga Kosova që kanë dokumente serbe të mund të lëvizin dhe hyjnë e të dalin nga Kosova.

Ai tha se Serbia do të pranojë dokumentet e Kosovës, por me një kusht, që për to të ketë një shënim shtesë:

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës [Kosovës] bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244” e Kombeve të Bashkuara, tha Vuçiq.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë një shpallje të përgjithshme dhe ta vendosim nëpër vendkalimet administrative, presim garancitë e BE-së dhe në to do të shkruajë se mundësohet përdorimi i dokumenteve personale të lëshuara nga ana e Prishtinës ekskluzivisht për arsye praktike për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur njëanshëm të Kosovës”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se “për ne është e rëndësishme që serbët nga Kosova të mund të lëvizin me dokumente nga Serbia, të hyjnë dhe të dalin nga Kosova”.

“Ne kërkojmë garanci nga BE-ja për këtë, presim përgjigje nga Borelli dhe Lajçaku në tre deri në katër ditët e ardhshme, që do të thotë se çdo serb nga Kosova mund të hyjë dhe të dalë nga Kosova me dokumente nga Serbia”, thotë Vuçiq.

“Ky është një përjashtim që ne do ta aplikojmë gjithkund”, tha Vuçiq, duke thënë se po insistohet që serbët në veri të Kosovës të mund të hyjnë në Kosovë me dokumente të Serbisë, por shtoi se për këtë gjë po pret përgjigje nga zyrtarët evropianë.

“Nëse na e konfirmojnë këtë, ne do të kemi një problem më pak. Çështja e targave është shumë më e komplikuar”, tha Vuçiq.