Skuadra e Shkupit sonte do të përballet me Dinamo Zagrebin në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.
Ekipi i Shkupit e mirëpret ekipin e Kroacisë, Dinamo Zagreb me fillim nga ora 21:00, në ndeshjen kthyese të fazës së dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, shkruan GazetaBlic Sport.
Trajneri i njohur shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe trajneri momental i Lirisë, Xhengis Rexhepi, është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’ para ndeshjes së sotme.
Rexhepi tha se rezutlatet që skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut i ka arritur nuk janë të një kohe të shkurtër, por të arritura pas një pune të gjatë e profesionale. Ai poashtu tha se Shkupi zhvilloi një ndeshje fantastike në Kroaci, duke mos qenë aspak një skuadër inferiore ndaj një super fuqie siç është Dinamo Zagreb.
“Rezultatet e arritura nga FC Shkupi nuk janë rezultat i një periudhë të shkurtër kohore, por gradualisht duke u përvetësuar në mënyrën më profesionale, të gjithë ata që e udhëheqin tregojnë se si një klub duhet të udhëhiqet me durim dhe qetësi, me një trajner profesionist dhe futbollistë shumë cilësorë.
Për momentin, të gjitha ardhjet e FC Shkupi janë futbollistë shumë cilësorë, prandaj edhe ndeshja kundër gjigantit Dinamo Zagreb, ishte një ndeshje e barabartë në çdo aspekt, kondicional, taktik dhe mental. Shkupi nuk e respektoi emrin Dinamo Zagreb, por luajti me presion të mesëm dhe disa momente me presion të lartë, i pozicionuar taktikisht shumë mirë në ndeshjen e parë. Të mos harrojmë se Dinamo është një skuadër që i ka mposhtur ekipet evropiane brenda dhe jashtë, pothuajse çdo vit luajnë në grupe, ku kostoja e skuadrës nuk ndryshon nga skuadrat e njohura evropiane.
Nëse paraqitja e skuadrës së Shkupit do të jetë si në ndeshjen e parë, kundërshtari do ta ketë shumë të vështirë. Pres një ndeshje të barabartë, por me iniciativë më shumë nga Dinamo“, tha fillimisht Rexhepi.

Më pas, ai foli edhe për mundësinë që skuadra e Shkupit të kualifikohet në grupet e Ligës së Kampionëve, ku tha se një gjë e tillë mund të ndodhë.
“Duke marrë parasysh potencialin e përgjithshëm të Shkupit, kjo mund të ndodhë. Para disa vitesh, Shkëndija ishte vetëm një ndeshje larg grupeve, Vardari ishte në grupe, ndaj do të doja që klubet e Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë të ishin në grupe në çdo edicion, vetëm kështu mund të arrijmë nivele të larta të futbollit evropian. Me ndeshje dhe rezultate të tilla mund t’ua lehtësojmë transferimin e futbollistëve dhe trajnerëve në klubet evropiane.
Të gjitha ekipeve të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Maqedonisë, ju uroj rezultate sa më të mira“, përfundoi Rexhepi me deklarimin e tij.
/GazetaBlic Sport/


