Ish kryetari i Skenderajt, njëherësh andëtar i familjes Jashari, Bekim Jashari, ka reaguar pas aksionit të sotëm, ku nuk u lejuan studentët serbë ta vizitojë Prekazin, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se aksioni i sotëm është në kundërshtim me traditën shqiptare në raport me mysafirin dhe bie ndesh edhe me qëndrimet e tyre si familje.
Jashari po ashtu ka thënë se sot studentët serbë do të kishin mundësi që për së afërmi të njihen me luftën, sakrificën dhe historinë e familjes, e në veçanti të rinjve të familjes Jashari.
Derisa thotë se shpreson që raste të tilla të mos përsëriten, ai shton se i kupton edhe reagimet e “Shqiponjave të Zeza”.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Jam i shqetësuar me disa pamje që tani shikova ku shihet se janë penguar për ta vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” disa studentë ndërkombëtar, mysafirë në Kosovë, të cilët do të kishin rastin që për së afërmi të njihen me luftën, sakrificën dhe historinë e familjes, e në veçanti të rinjve të familjes sonë që kur ishin në moshën edhe me të re se të këtyre vizitorëve dhanë më të shtrenjtën jetë që bashkëmoshatarët e tyre të jetojnë e veprojnë të lirë.
Aksioni i sotëm pos që është në kundërshtim me traditën shqiptare në raport me mysafirin, bie ndesh edhe me qëndrimet tona si familje.
Memoriali i përket sakrificës dhe rezistencës për liri dhe si i tillë është vend i duhur për çdokënd që dëshiron të dijë vlerën e lirisë, duke përfshirë edhe ata që tani distancohen dhe njohin gjenocidin serb në Kosovë.
Në anën tjetër i kuptoj edhe reagimet e “Shqiponjave të Zeza” që të ndikuar nga lajme me tituj nxitës dhe nga emocionet realizuan një aksion jo të menduar aq mirë por gjithsesi pa ndonjs qëllim të keq, andaj edhe duhet mirëkuptuar.
Uroj që raste të tilla që prishin imazhin e shtetit dhe shoqërisë sonë të mos përsëriten.
Me shumë respekt për të gjithë nga familja Jashari!


