Lajme

Aksidentet me fatalitet në Kosovë, eksperti i komunikacionit tregon shkaktarët – apel për shoferët dhe Policinë

07/12/2022 11:42
nga:G B

Aksidente të shumta komunikacioni ka pasur së fundi në vendin tonë.

Përpos atyre me lëndime të lehta, ka pasur dhe mjaft raste me fatalitet.

Tashmë jemi në stinën e verës dhe është dhe fluksi më i madh i veturave, derisa dhe në Kosovë vijnë për pushime mërgimtarët nga diaspora.

Për shkaktarët e aksidenteve, për Gazeta Blic ka folur Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit, i cili ka treguar dy shkaktarët kryesorë.

“Janë dy shkaktarë kryesorë: faktori subjektiv dhe faktori objektiv. Subjektiv që është njeriu dhe objektiv janë të gjitha rrethanat, duke e pasur parasysh gjendjen e automjetit, gjendjen teknike të rrugës dhe faktorët tjerë. Problematika kryesore te aksidentet në komunikacion është mos koordinimi i shpejtësisë së lëvizjes në raport me gjendjen e rrugës, d.m.th ku është e kufizuar shpejtësia. Pastaj vijnë shumë faktorë tjerë, padurueshmëria që është një nga faktorët kryesorë, pastaj kontrolli teknik i automjetit, gjendja e rrugës, gjendja shëndetësore, e të tjera”, thotë Ahmeti.

Ai thotë se ndikon edhe ardhja e mërgimtarëve, të cilët thotë se janë vazhdimisht në lëvizje dhe natyrisht që kur rritet numri i automjeteve në komunikacion, rritet edhe numri i aksidenteve.

“Natyrisht sepse ata lëvizin më shumë. Tani është ngritur ajo ora kulmore në komunikacion, është rritur piku i komunikacionit kurse automjetet me targa të huaja që janë mërgimtarët tanë lëvizin më shumë pasi dalin shëtisin, shkojnë te të afërmit, e ka edhe shumë faktorë tjerë, pastaj një pjesë vjen, një tjetër shkon dhe janë vazhdimisht në lëvizje. Dihet që dy muajt e verës, korrik dhe gusht janë më të frekuentuar në komunikacion në raport me numrin e automjeteve që tash shtohen, gjë që, kur shtohet numri i automjeteve, deshëm apo nuk deshëm, vjen edhe deri te aksidentet në komunikacion si rezultat i prezencës së madhe të makinave në rrugë”, vlerëson eksperti i komunikacionit.

Ahmeti ka një apel për të gjithë shoferët, sidomos për dy muajt e verës ku fluksi i veturave është më i madh.

“Gjendja e teknike e rrugëve është e mirë, pra gjendja objektive është në rregull. Kurse, problemin na e jep faktori subjektiv, pra njeriu. Fillimisht shoferët duhet të nisin me dhënien e shenjës, mos marrja e përparësisë së kalimit kur nuk kanë të drejtë, vendosja e rripit të sigurisë, kontrolli ditor i automjeteve se a janë në rregull, pastaj durueshmëria më e madhe, të jenë më të durueshëm në komunikacion, respektimi i kufizimit të shpejtësisë. Këto e të tjera duhet t’i kemi parasysh. Kurse, shoferët e rinj nga 1-3 vjet të kenë kujdes sidomos në mos tejkalimin e shpejtësisë, pasi nuk janë ende në grupin e shoferëve profesionalë. Të shmangen aksidentet, të mendojnë gjithmonë për veten sepse aksidenti është shumë i rrezikshëm, pasojat janë nga mbetja në karrocë që është më e lehta e deri te vdekja”, thekson ai për Gazeta Blic.

Eksperti ka një apel edhe për Policinë e Kosovës.

“Apeli tjetër është për Policinë e Kosovës që mos t’i dënojnë në mënyrë selektive automjetet, gjë që po flitet, edhe të jenë të pafalshëm në raport me ata që i shkelin rregullat dhe ligjin”, deklaron Bekim Ahmeti./Gazeta Blic/