Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin dënues të Gjykatës Themelore në Pejë, ku kjo e fundit me 1 vit burgim efektiv dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike e kishte gjykuar teknikun e pyjeve, Jeton Berisha, ndërsa rojën e pyjeve, Isam Ahmetxhekaj, me dy mijë euro gjobë, për akuzat për korrupsion.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, edhe pse në këtë rast të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë, Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit në të cilin përshkruheshin veprimet e të akuzuarve, ishte i mangët dhe nuk plotësonte figurën e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Apeli ka konstatuar se në dispozitiv nuk ishte arsyetuar fakti se çfarë pozite zyrtare kishin të akuzuarit dhe në çfarë mënyre të pandehurit kishin keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim që dëshmitari Florim Tahirsyla me kamionin e tij të mbushur me masë drunore të kalojë pa dokumentacion në Laurë.
Apeli e ka konsideruar sidomos të mangët rrethanën kur në dispozitiv thuhet se i akuzuari Jeton e ka sugjeruar rojën Isam Ahmetxhekaj që ta lironte kamionin e dëshmitarit.
“Në rastin konkret i akuzuari J.B. shpallet fajtor se duke shfrytëzuar pozitën zyrtare i ka tejkaluar kompetencat e tija zyrtare duke e sugjerua të akuzuarin e dytë. Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate formulimi i tillë i dispozitivit të aktgjykimit është i pakuptueshëm. Tejkalimi i autorizimeve zyrtare qëndron në faktin kur personi zyrtar vepron jashtë autorizimeve dhe kompetencave të tija zyrtare, mirëpo në rastin konkret dispozitivi nuk përmban arsye se cila ishte pozita zyrtare e të akuzuarit J.B., përkatësisht dispozitivi i aktgjykimit nuk përmban arsye se në çfarë mënyre i akuzuari i ka tejkaluar kompetencat sepse përshkrimi faktik i këtij dispozitivi përmban vetëm konstatimin se i akuzuari J. i ka sugjeruar të akuzuarit tjetër që të lejojë kalimin e kamionit, por kjo nuk e sqaron tejkalimin e kompetencave sepse vetëm sugjerimi nuk e obligon personin tjetër, në këtë rast të akuzuarin I. që mos ti përmbush detyrat e tija zyrtare”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Tutje, Apeli arsyeton se edhe nga përshkrimi faktik i veprimeve të të akuzuarve nuk mund të kuptohet forma e përgjegjësisë penale e të akuzuarve.
Sipas Apelit, nuk rezulton të jetë e qartë nëse sugjerimi për të lejuar kalimin ka ardhur si pasojë e dashjes së të pandehurit Berisha për t’i mundësuar përfitim pasuror dëshmitarit dhe as që ishte qartësuar se a ka ekzistuar dashja e të pandehurit Isam që ta lejonte kalimin e kamionit.
“Në rastin konkret, gjykata e shkallës së parë, nuk ka përshkruar faktet dhe rrethanat që përbëjnë figurën e veprës penale për të cilën janë shpallur fajtorë të akuzuarit, siç u theksua më lartë në aspektin subjektiv dhe objektiv lidhur me pozitën zyrtare dhe veprimet konkrete në raport me autorizimet e tyre zyrtare (tejkalimin apo mos përmbushja), që për këtë Gjykatë përbën edhe cenimin e nenit 370 par. 7 e që ndërlidhur me nenin 384 par. 1 nën par. 1.12 të KPPK-së që përbën shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse ndërlidhet me detyrën e gjykatës për të dhënë arsye të qarta lidhur me vërtetimin e ekzistimit të kësaj vepre dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit, si dhe zbatimin e dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 20 dhjetor 2021, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Berisha dhe Ahmetxhekaj.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore më Pejë më 9 dhjetor 2021, i pandehuri Jeton Berisha, më 19 nëntor 2021, në Deçan në Laurën e quajtur Gryka e Deçanit, e cila është në kuadër të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare thuhet se i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dëshmitarin Florin Tahirsylaj.
Sipas aktakuzës, i pandehuri e ka sugjeruar rojtarin i cili ka qenë në detyrë, Isam Ahmetxhekaj që ky i fundit të lirojë kamionin e dëshmitarit Florim të ngarkuar me masë drunore që të kalojë në Laurën nr.1, pa e pajisur me dokumentacion përkatës, fletëpërcjellje dhe pa evidentuar në librat e evidencës.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Isam Ahmetxhekaj thuhet se duke vepruar sipas sugjerimeve të pandehurit Jeton, derisa ka qenë në detyrë zyrtare ka lejuar dëshmitarin Florim Tahirsylaj ta kalojë Laurën nr.1 me kamionin e ngarkuar me masë drusore, pa e pajisur me dokumentacion përkatës, fletëpërcjellje dhe pa evidentuar në librat e evidencës.
Për këtë veprim, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414par.1 të KPK-së, për të cilën parashihet dënimi me burgim prej 1 deri në 8 vite burgim.


