Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së, ka thënë se nesër nuk mund të organizojnë protestë pasi është kohë e shkurtër por që protestat nuk do t’i ndalin, raporton Gazeta Blic.
Ai e ka quajtur dyfytyrësh kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, për të cilin ka thënë se në njërën anë e fut në rend dite projektligjin kundër veteranëve, e në anën tjetër shkon t’i vizitojë veteranët që gjenden në paraburgim në Hagë.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar veteranë, invalidë dhe familje të dëshmorëve!
Nesër do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë është përsëri miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale.
Nuk mund të organizojmë protestë për nesër, sepse është kohë e shkurtër. Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona.
Thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës!
Mos e miratoni ligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës, sepse do t’i bartni pasojat edhe ju sikur qeveria.
Dyfytyrësia e Glauk Konjufcës!
Në njërën anë futet në rend dite projektligji kundër veteranëve, e në anën tjetër shkon t’i vizitojë veteranët që gjenden në paraburgim në Hagë.


