Lajme

Rritja enorme e çmimit të naftës/ LDK-ja me akuza të forta ndaj qeverisë: Dembelia, pasiguria dhe padituria e tyre po iu kushton miliona euro qytetarëve

06/09/2022 11:18
nga:Genita C

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi ka komentuar çmimet e naftës dhe rritjen enorme të tyre, ku thotë se mënyra e vetme për të tejkaluar këtë krizë është reduktimi i TVSH-së dhe heqja e akcizës, raporton GazetaBlic.

Halimi thotë se një propozim i tillë nga LDK-ja është bërë qysh nga data 7 mars por sipas saj, qeveria nuk e mori parasysh këtë propozim të opozitës.

“LDK më 7 mars propozoi reduktimin e TVSH-së por, u injoruam nga Qeveria me arsyetimin që kriza është e njëjtë në Evropë. Kriza mund të jetë e njëjtë por qeveritë e vendeve evropiane nuk i kanë braktisur qytetarët, një gjë të tillë e ka bërë vetëm qeveria e Kosovës dhe nuk ka marrë asnjë masë të vetme për të dal nga kriza”, tha Halimi në një konferencë për medie.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa i ka quajtur deputetët e qeverisë Kurti dembel dhe të paditur.

Mustafa thotë se pasiguria e tyre po iu kushton qytetarëve në qindra miliona euro.

“Ka disa muaj që qytetarët e Kosovës po përballen me rritje enorme të çmimeve të derivateve dhe ushqimeve bazike. Që nga dita e parë e kësaj krize, LDK-ja ka dhënë propozime konkrete për tejkalimin e tyre, propozime të cilat nuk janë përfillur nga qeveria.Dembelia, pasiguria dhe padituria e kësaj qeverie po kushton qindra miliona euro qytetarëve të Kosovës”, tha Mustafa./GazetaBlic/