Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka thënë se dëmet e shkaktuara nga breshëri në nivel vendi do të kompensohen nga ministria e Bujqësisë, dhe për këtë ai thotë e kanë një buxhet të veçantë në kuadër të ministrisë që drejton.
I kontaktuar nga Gazeta Blic ai ka thënë se aktualisht është në terren (rajonin e Dukagjinit) për të parë nga afër dëmet që ka bërë breshëri dhe stuhitë.
“Ne si Ministri e Bujqësi për vitin 2020 – 2021 kemi pasur një buxhet prej 3 milionë eurove që ka mbuluar dëmet për bujqit. Sigurisht se edhe këto dëme do të kompensohen dhe janë komunat e Kosovës që bëjnë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve dhe ne si MB i verifikojmë ato dhe më pas ndahen mjetet”, ka thënë Faton Peci.
Por ai ka thënë se është një fatkeqësi shumë e madhe nga ana e bujqve të Kosovës, të cilët po refuzojnë të sigurojnë prodhimet e tyre e ku ministria e Bujqësisë mbulon deri në 75 për qind këtë sigurim, në rastet ku ka dëme si këto të ditëve të fundit.
“E ardhmja e Bujqësisë është prima e sigurimeve të prodhimeve të tyre dhe fatkeqësisht është një numër shumë i vogël i fermerëve që e kanë bërë një primë të tillë, e ku ne i mbulojmë dëmet deri në 75 përqind në rastet kur ata sigurojnë prodhimet e tyre’, ka thënë ai.


