Përfaqësuesit e Bosnjë e Hercegovinës kanë shprehur dëshirën që t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”.
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, deklaroi të martën në Ohër se Bosnja dhe Hercegovina merr pjesë si vëzhguese në samitin e “Ballkanit të Hapur”.
Ai tha se pret që Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës së shpejti të marrë vendim për t’iu bashkuar kësaj nisme.
“Jam këtu sepse e di se pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e Hercegovinë, shumica e politikanëve, dëshirojnë të jetë pjesë e projektit ‘Ballkani i Hapur’, por edhe entitetet janë të vendosur t’i bashkohen këtij projekti. Unë jam këtu për të përcjell mesazhin tek anëtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ se Bosnjë e Hercegovina po përgatitet dhe dëshiron të bëhet anëtare sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Tegeltija për Radio Televizionin e Republikës Sërpska.
Ai theksoi se javën e kaluar përsëri i kishte bërë thirrje Presidencës së Bosnjë Hercegovinës që të marrë vendim për t’iu bashkuar nismës dhe se shpreson që anëtarët e Presidencës që janë kundër do të ndryshojnë mendje dhe do të kuptojnë se sa i rëndësishëm është ky projekt për komunitetin e biznesit dhe qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës.


