Lajme

Ministri i Jashtëm i Greqisë takoi Kurtin dhe Gërvallën

04/09/2022 12:09
nga:Astrit Gashi

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, është takuar sot me kryeministrin Albin Kurti dhe me ministrën e Jashtme, Donika Gërvalla, në margjina të Forumit Ekonomik, i cili po zhvillohet në Delphi të Greqisë.

Ministria e Jashtme greke ka shpërndarë disa fotografi nga takimi ku thuhet se është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe procesin e dialogut me Serbinë.

“Takimi në margjina e Forumit Ekonomik Delphi mes Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe Ministres së Jashmte Donika Gërvalla. Diskutime në bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimet në dialogun Prishtinë-Beograd”, thuhet në njoftimin e MPJ-së greke.
Në fjalimin të premten, Kurti tha se njohja e Greqisë do mund t’i sillte Kosovës edhe njohje të reja nga vendet e tjera.

“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim të mirë me Greqinë, mes njerëzve të Kosovës dhe Greqisë, mes të dyja qeverive. Është vetëm një urë që duhet ta kalojmë. Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën. Para kësaj dhe veçanërisht pas njohjes, ne mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Mendoj se Greqia është lidere regjionale dhe mund ta ndihmojë Kosovë të marrë njohje të reja”, ka thënë Kurti.