Doktori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini ka folur në lidhje me gjendjen e portierit Stivi Frashëri, i cili u sulmua sot nga tifozët e Gjilanit në ndeshjen e Superligës së Kosovës në futboll.
Emini thotë se ekipi kujdestar e ka informuar atë se ai është në gjendje të mirë dhe stabile, ka vetëdijë – nuk ka thyerje, por vetëm trauma në formë të shtypjes.
“Po, informatat i mora para 15 min se jam në pushim, gjendja është stabile, portieri ka ardhur me vetëdije dhe ka vetëdije momentalisht, nuk ka thyerje. Sipas mjekut ka trauma në formë të shtypjes, gjendja është stabile, është duke u monitoruar dhe ekipi kujdestar më vonë vendos për fatin e tij, se a do të qendrojë në spital apo do të lirohet në shtëpi”, tha Arsim Emini për ‘GazetaBlic Sport.
Kujtojmë se Portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri u sulmua nga tifozët e Gjilanit pas golit të Enea Koliçit, me ç’rast mori disa goditje dhe përfundoi në spital me urgjencë.
Policia e Kosovës po punon që të arrestojë autorët e sulmit.
/GazetaBlic Sport


