Lajme

Nehammer: Austria synon të jetë urë mes BE-së dhe Ballkanit

03/17/2022 15:52
nga:Astrit Gashi

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, deklaroi sot në Beograd se vendi i tij do të vazhdojë të përpiqet të jetë urë lidhëse ndërmjet BE-së dhe shteteve te Ballkanit Perëndimor.

Ai vuri në dukje “shqetësimin e madh” që ka Perëndimi, për faktin se Rusia ka ndikim të madh në Ballkanin Perëndimor dhe se Kina ka “interes të madh për t’u pozicionuar” në këtë rajon.

Nehammer tha gjithashtu se Austria është “jashtëzakonisht e varur” nga gazi rus dhe shtoi se pyetja është se si të trajtohet kjo varësi.

“Austria është mbështetur prej kohësh në burimet e rinovueshme të energjisë, por ka 25 për qind të burimeve të varura nga gazi. Ne nuk mund ta heqim qafe atë varësi brenda natës. Në afat të shkurtër, ne duhet të sigurojmë furnizimin e njerëzve për dimrin e ardhshëm dhe nga ana tjetër ne duhet të fokusohemi në tregun ndërkombëtar për të reduktuar varësinë në periudhën afatgjatë nga lëndët djegëse fosile si nafta dhe”, tha Nehammer.

Nehammer u takua sot në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e në këtë takim morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane Jadranka Joksimoviq, si dhe ambasadori i Austrisë në Serbi, Nikolaus Luteroti.