Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas dështimit për miratim në Kuvend të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, raporton Gazeta Blic.
Në reagimin e KDI-së thuhet se nuk mund të ketë qeverisje të mirë pa financa transparente të partive politike.
“Subjektet politike parlamentare – pozitë dhe opozitë – nuk kanë arsye për zvarritjen e mëtutjeshme të këtij projektligji, duke qenë se i njëjti është në përputhje me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare, respektivisht Opinionin e Komisionit të Venedikut”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
NUK MUND TË KEMI QEVERISJE TË MIRË PA FINANCA TRANSPARENTE TË SUBJEKTEVE POLITIKE
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh keqardhje për dështimin e votimit në parim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
Mungesa e kuorumit gjatë votimit të projektligjeve shpërfaqë mungesë të seriozitetit nga ana e deputetëve, të cilët përmes mospjesëmarrjes në votim gjatë seancave të Kuvendit po dëmtojnë seriozisht funksionimin e jetës parlamentare në Kosovë.
Mungesa e kuorumit gjatë seancës së sotme dhe dështimi i votimit në parim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, do t’i shërbejë dhe më tutje mungesës së transparencës dhe llogaridhënies financiare, cilësisë së demokracisë, si dhe praktikave të mira qeverisëse.
Subjektet politike parlamentare – pozitë dhe opozitë – nuk kanë arsye për zvarritjen e mëtutjeshme të këtij projektligji, duke qenë se i njëjti është në përputhje me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare, respektivisht Opinionin e Komisionit të Venedikut.
Andaj, KDI bën thirrje që Projektligji për Financim të Subjekteve Politike të shqyrtohet dhe të votohet në parim sa më parë, duke i hapur rrugë shqyrtimit dhe eventualisht avancimit të tij në periudhën mes dy leximeve.


