Përfaqësuesi i paditësit Flamur Hasani, avokat, Xhevdet Krasniqi ka propozuar nxjerrjen e ekspertizës financiare për fitimin e humbur në rastin ku paditësi ka paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), dhe po kërkon kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën 25 milionë e 49 mijë e 313 euro.
Paditësi Hasani akuzohej për vrasjen e të dashurës së tij dhe për këtë kishte qëndruar në paraburgim prej 2 mijë e 647 ditësh, ndërsa më 30 shtator 2013 ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj, e që më pas ky aktgjykim thuhet se ka marrë formën e prerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Propozimi për ekspertizë financiare për fitimin e humbur është bërë në seancën e së hënës nga përfaqësuesi i paditësit, avokati Xhevdet Krasniqi, i cili gjithashtu tha se rreth ekspertizës se mjekësisë së punës të njëjtën ë ka pranuar me kohë dhe nuk ka vërejtje.
Ai gjithashtu ka deklaruar se mbetet pranë propozimit për ekspertizë, ndërsa detyrat e ekspertit do të jepen pas dëgjimit të ekspertit të mjekësisë së punës, Ali Hajra.
Këtë propozim e ka kundërshtuar përfaqësuesi i të paditurës KGJK, Besim Mustafa duke i propozuar gjykatës që mos të aprovohet një propozim i tillë pasi që avokati Krasniqi ka pasur mundësi të paraqes propozimin për ekspertizë dhe për t’i dhënë vërejtjet me kohë.
Ai po ashtu tha se nuk e kundërshtojmë bazën e kërkesëpadisë të paditësit Hasani për dëmin material dhe për shkak të qëndrimit në paraburgim por e kundërshtojmë lartësinë e kompensimit i cili të bëhet në bazë të UA4/2015.
Tutje, Mustafa deklaroi se ka pranuar me kohë ekspertizën financiare për të cilën ka pasur vërejtje sa i përket shpenzimeve të procedurës penale të cilat janë bërë në plotësim, ndërsa sa i përket ekspertizës së mjekësisë së punës nga eksperti Ali Hajra të njëjtën e ka kundërshtuar për faktin se paditësi Hasani ka qenë i privuar nga liria e jo lënduar në vendin e punës.
Lidhur më këtë ai tha se KGJK ka ligjimitet që ta kompensojë paditësin vetëm për periudhën a ka qenë i privuar nga liria, ndërsa për pjesën tjera sipas tij, mungon legjitimiteti.
Pas kësaj, gjykatësi Alajdin Tërshnjaku lidhur me propozimin e të autorizuarit të paditësit Hasani, Krasniqi do të vendosim në seancat e radhës.
Seanca e radhës u caktua më 21 mars 2022.
Fillimisht paditësi Hasani përmes padisë ka kërkuar shumën prej 25 milionë e 75 mijë e 746 euro, mirëpo më parashtresën e datës 19 shkurt 2021, i njëjti ka bërë precizimin e kërkesëpadisë duke e mbështetur në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në nenin 22 dhe 29, paragrafin 5, në Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Lirive themelore të Njeriut, në nenin 5 par. 5, në Kodin e procedurës Penale nenin 59, Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve neni 8, 9, 14, 136 par. 1, neni 137, 140, 169, 170, 173, 174, 183, 305, 378 dhe 382, dhe Ligji për procedurën kontestimore, neni 14, si dhe në ekspertizën financiare të datës 16 nëntor 2020 dhe ekspertizën mjekësore nga lëmia e psikiatrisë, ku ka kërkuar shumën e përgjithshme prej 25 milionë e 49 mijë e 313 euro, në emër të dëmit material dhe jo material dhe atë me kamatë ligjore duke filluar nga data e paraqitjes së padisë e deri në pagesën përfundimtare si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 2 mijë e 818 euro e 50 centë.
Sipas padisë së ushtruar më 9 mars 2015, paditësi Flamur Hasani, ishte privuar nga liria mbi shtatë vite apo 2 mijë e 647 ditë pa bazë, ku me aktgjykimin e datës 30 shtator 2013, paditësi është liruar nga aktakuza për të cilin aktgjykim thuhet se kishte marrë formën e prerë.
Në padi thuhet se pas lirimit nga akuza tani paditësi Hasani ka parashtruar kërkesë tek e paditura KGJK, për arritjen e marrëveshjes për dëmin e shkaktuar për qëndrimin në paraburgim prej 2 mijë e 647 ditësh, ku e paditura të njëjtit i ka ofruar shumën prej 36 mijë e 284 euro, për dëmin material dhe jo material, shumë kjo e cila thuhet se ishte refuzuar nga paditësi.
Mbi këtë bazë paditësi ka kërkuar nga gjykata që të obligohet KGJK-ja që atij t’ia kompensojë shumën prej 25 milionë e 49 mijë e 313 euro, me kamatë ligjore prej 8%, nga data e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 2 mijë e 818 euro e 50 centë. /BetimipërDrejtësi


