Robert Lewandowski pranoi se i pëlqen shumë futbolli i luajtur nga Karim Benzema dhe konsideron se ka shumë ngjashmëri me stilin e tij të lojës.
Lewandowski tha se Benzema shënon vazhdimisht dhe është një golashënues që fokusohet gjithmonë te ekipi.
“Ai shënon rregullisht, ai është një golashënues që fokusohet gjithmonë te ekipi, ai dominon të gjitha aspektet e nevojshme për të qenë një sulmues modern. Ai gjithashtu pëlqen të bëjë asistime. Reali i detyrohet shumë Benzemas. Çdo sezon shënon shumë gola dhe vazhdon të përmirësohet. Aktualisht është më i mirë, më i kompletuar dhe shifrat e tij janë mbresëlënëse”, ka thënë sulmuesi polak në prononcimet e L’Equipe, përcjell GazetaBlic Sport.
Roberto Lewandowski mendon se është i ngjashëm me Benzeman: “Ai është njësoj si unë. I pëlqen të kombinohet me shokët e tij dhe gjithmonë përpiqet të shohë se cili është në pozicionin më të mirë. Ai nuk është i fiksuar pas golit, sepse mbi të gjitha dëshiron që skuadra të fitojë. Gjithashtu përpiqem të krijoj hapësira, të befasoj rivalin dhe të jem sa më i paparashikueshëm. Më pëlqen cilësia e lëvizjeve të tij. Është shumë i zgjuar dhe i rregullt. Nuk e di si është jashtë fushës, por kam ndjenjën se ai vazhdimisht dëshiron të përmirësohet. Nuk e di si ndihet, por mendoj se do të jetë në gjendje të luajë edhe dy ose tre vjet në nivelin më të lartë. Ndoshta edhe ne e përfundojmë garën në të njëjtën kohë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


