Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të vendosë masa të reja anti-COVID, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.
Sipas IKShPK-së, pothuajse të gjitha këto raste janë me variantin Omicron, për të cilin thotë se po përhapet jashtëzakonisht shpejt.
“U bëjmë thirrje që të mos nënvlerësohet varianti Omicron. Të gjitha informatat nga vendet e tjera dëshmojnë qartë, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Qeverisë.
Sipas Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me Pandeminë COVID-19, ky variant i ri kërkon edhe përditësim të masave, me qëllim të ngadalësimit të rritjes së rasteve.
“Masat kanë për qëllim primar ruajtjen e shëndetit si dhe sigurimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, që të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar”, thuhet tutje në njoftim.
“Po ashtu, një ngadalësim i tillë do t’u japë kohë për t’u vaksinuar sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese. Respektimi i masave dhe vaksinimi do të na ndihmojë që të kalojmë sa më shpejt valën aktuale dhe me sa më pak pasoja.