Është vetëm 19 vjeçar, por momentalisht është heroi i kombëtares së Shqipërisë. Sulmuesi, Armando Broja shkëlqeu në ndeshjet që zhvilloi në muajin shtator tek kombëtarja shqiptare që udhëhiqet nga Edoardo Reja.
Broja ka luajtur 58 minuta lojë në dy takimet e shtatorit, nga tri që kombëtarja i zhvilloi gjithsej, por megjithëse nuk kishte shumë minuta në këmbë, ai tregoi aftësitë e tij dhe e çoi në delir një komb të tërë, shkruan GazetaBlic Sport.
Për vetëm 58 minuta lojë, sulmuesi, Armando Broja arriti të shënoj dy gola dhe të dhuroj dy asistime. Fillimisht, Broja luajti vetëm 13 minuta ndaj kombëtares së Hungarisë me 5 shtator në ‘Elbasan Arena’, por ato minuta i mjaftuan që të gjejë golin dhe ta zhbllokojë sfidën. Goli i tij në minutën e 87’të, i dhuroi tre pikë jashtëzakonisht të vleshme kombëtares shqiptare.

Në ndeshjen e djeshme, Reja sërish e la në stol, por e aktivizoi menjëherë në startin e pjesës së dytë. Në 45 minutat që i zhvilloi mbrëmë, ai sërish tregoi se çka di të bëjë. Një gol i jashtëzakonshëm ndaj San Marinos dhe dy asistime, një për Qazim Laçin dhe një për Myrto Uzunin.
Por, impakti i Brojës ka filluar të tregohet qe një kohë. Në dy vitet e fundit, Armando Broja ka shënuar gola për Chelsea U18, U19, Vitesse, Jong Vitesse, Southampton, kombëtaren e Shqipërisë U19, kombëtaren e Shqipërisë U21 dhe tani për kombëtaren A të Shqipërisë. Një rritje absolutisht e jashtëzakonshme që po vazhdon…
E rritjen e Armando Brojës e kanë përcjellur edhe tek skuadra e Chelseat, pasi klubi gjigant nga Premierliga e zotëron kartonin e tij, e lojari është zhvilluar në akademinë e kampionëve aktual të Evropës. Në verën e këtij viti, Thomas Tuchel dhe drejtuesit e Chelseat treguan besimin e tyre për lojtarin shqiptar, duke ia rinovuar kontratën edhe për pesë vite. Por, pas transferimit të Lukakut, Broja u huazua tek Southamtoni, që të kishte më shumë minuta në këmbë.
Një person i cili e ka ndjekur zhvillimin e Armando Brojës hap pas hapi është edhe gazetari i njohur, Nizaar Kinsella, i cili punon si korrespondent tek një portaleve më të mëdha në botë për sport, ‘Goal.com’.
Ai potencon se Armando Broja është ndërtuar tek akademia e Chelseat dhe shton se edhe kombëtarja shqiptare e ka ndihmuar atë që t’a kthejë besimin dhe ta zhvillojë edhe më tepër.
“Forma e Armando Broja është ndërtuar për gjatë viteve të punës së fortë dhe të palodhur në akademinë e Chelsea. Ai ka pasur vështirësi në sezonin të parë te Chelsea U-18, por që kur kaloi tek kombëtarja e Shqipërisë dhe luajti me U-21, ai ka pasur rritje të vazhdueshme. Falë formës së mirë me kombëtaren e Shqipërisë, ai fitoi besimin e duhur dhe u bë sulmuesi kryesor i Chelseat në akademi. Pas kësaj, ai u bashkua me Vitesse – pasi ata vëzhguan formën e tij tek Chelsea. Ai shkëlqente në Vitesse dhe në një moment, ai ishte golashënuesi më i mirë në mesin e futbollistëve adoleshentë në 10 ligat më të mira të Evropës sezonin e kaluar”, tha fillimisht gazetari Nizaar Kinsella.

Më pas, Nizaar Kinsella tha se beson shumë tek Broja. Sipas tij, sulmuesi është i motivuar dhe duhet të vazhdojë të rritet, e pastaj të shënojë në Premierligë – sikurse po bën me kombëtaren shqiptare.
“Në verë, Chelsea i ofroi Brojës një kontratë të re afatgjate dhe deklaroi besimin e tyre se ai mund të luajë në ekipin e parë, pasi ai shënoi tre gola në ndeshjet para-sezonale. Chelsea më pas transferoi sulmuesin, Romelu Lukaku dhe dërgoi Brojën në huazim tek Southampton. Kalimi në klubin e Premier League ishte një veprim i guximshëm për Broja, sepse ka shumë konkurrencë, por ai do të duhet ta fitojë atë për t’i treguar Chelsea se sa i mirë mund të jetë. Thomas Tuchel e pëlqen atë, Chelsea e vlerëson atë, por shitja e Tammy Abrahamit tek Roma tregon se sa e vështirë është për një sulmues të akademisë t’ia dalë në Stamford Bridge. Ai është një tifoz i Chelseat dhe është i motivuar për t’ia dalë, por ai duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe më pas të dëshmojë se mund të shënojë në Premier League ashtu siç bëri për Shqipërinë”, përfundoi Kinsella.
/GazetaBlic Sport



