Lajme

​Kurti: Mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës dhe Brukselit, por jo edhe me Serbinë

09/08/2021 17:31
nga:M K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se tema diskutimi mund të hapen vetëm me Brukselin dhe jo me Serbinë, meqë siç ka theksuar ai, në dialog është tema për të pagjeturit ajo e cila nuk pret.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se takimet e zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, në Bruksel, janë përgatitore të një dialogu që do të ketë kapitull të ri.

Kurti: Të pagjeturit është tema e vetme që nuk pret

“Ka vetëm një temë që nuk pret, çështja e të pagjeturve, çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe për këtë me siguri që do të bisedohet në Bruksel ndërkaq për çështje të tjera natyrisht që ne kemi dhënë propozimet tona, të cilat fatkeqësisht nuk janë pranuar, mund të hapen tema diskutimi ndërmjet Kosovës dhe Brukselit, mirëpo jo edhe me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se çështja e të pagjeturve nuk mund të presë derisa ka shtuar se takimet e Besnik Bislimit në Bruksel, i shoqëruar nga Andin Hoti, i cili udhëheq Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur, janë përgatitore për dialog.

Kurti: Këto janë takime përgatitore të një dialogu që do të ketë kapitull të ri

“Këto janë takime përgatitore të një dialogu që do të ketë kapitull të ri, veçse ekziston një çështje që nuk mund të presë, e kjo është çështja e të pagjeturve, të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Bashkë me zëvendës kryeministrin Bislimi ka udhëtuar edhe udhëheqësi i delegacionit dhe komisionit, Andin Hoti, sepse nuk mund të presim për marrëveshje gjithëpërfshirëse, natyrisht me njohje reciproke, kur janë në pyetje familjarët e 1630 qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të pikëlluar që nuk i kanë më të dashurit e tyre edhe 22 vjet më vonë, por që besa kanë më shumë ankth se pikëllim meqenëse nuk e dinë ku janë ata, edhe nëse e dinë që janë të vdekur nuk i kanë eshtrat e tyre që duan t’i kthejnë në vendlindje ku do të preheshin të qetë”, ka thënë Kurti.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri pas vizitës në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.