Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë do të takohen sot në Bruksel në kuadër të procesit dialogut, në kohën kur tensionet në veri janë ngritur pas reciprocitetit për targat e automjeteve.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano në një përgjigje për KosovaPress ka konfirmuar takimin duke thënë se do të mbështesin Kosovën dhe Serbinë për qetësimin e situatës dhe gjetjen e një zgjidhje.
“Mund të konfirmoj se takimi i kryenegociatorëve do të mbahet në Bruksel të mërkurën”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti propozoi të hënën që të dyja vendet të heqin aplikim e targave të përkohshme.
“Nuk ia vlen të kemi targa të përkohshme edhe Republika e Kosovës edhe Republika e Serbisë, po i heqim ato të dyja palët”, tha Kurti.
Partitë opozitare dhe njohësit e procesit të dialogut kërkojnë që Kosova të ketë qëndrueshmëri dhe mos të heqë dorë nga reciprociteti për targat.