Sporti

Zyrtare: PSG ia shet 12.5% të aksioneve një kompanie amerikane

12/08/2023 10:28
nga:E K

“Gjigantët” francez të Ligue 1, Paris Saint-Germain i kanë shitur një pakicë aksioneve fondit amerikan Arctos, pas njoftimit të Presidentit, Nasser Al-Khelaifi, i cili tha disa muaj më parë se dëshironte të gjente blerës dhe bashkëpunëtorë ndërkombëtar.

Pasditen e së enjtes, që sapo lamë pas, Qatar Sports Investments njoftoi këtë partneritet të ri me Arctos, i cili nuk do të ndikojë në çështjet sportive të klubit apo fuqinë vendimmarrëse mbi PSG-në, me fondin amerikan, që do të marrë 12.5% ​​të klubit, për një kontribut prej 531 milionë euro.

“Ky partneritet do të formojë bazën e fazës së ardhshme të rritjes globale të PSG-së dhe do të drejtojë sukseset futbollistike dhe komerciale të klubit”,-shpjegon klubi “parisien”, me anë të një komunikate, të bërë pasditen e kaluar.

Fondi i investimeve QSI bleu PSG-në në vitin 2011 nga pronari i mëparshëm Colony Capital, me klubin që vlerësohej në 70 milionë euro në atë kohë, ndërsa pas këtij aksioni, vlera e përgjithshme që i është dhënë kompanisë PSG është 4.25 miliardë euro.

Përsa i përket “bashkëpunëtorëve”, të PSG, kompaina “Arctos Partners”, me seli në Dallas, u themelua në vitin 2019 dhe ka interesa në disa organizata sportive profesionale në mbarë botën si kampionati i bejsbollit në Amerikë, kampionatin amerikan të basketbollit NBA, kampionatin amerikan të futbollit, MLS, kampionatin amerikan të hokejt, NHL, Formula 1, si dhe disa ekipe futbolli në Evropë.