Sporti

Zyrtare: Armend Dallku rikthehet si trajner i Dukagjinit

08/03/2026 19:32
nga:L J

KF Dukagjini ka zyrtarizuar rikthimin e Armend Dallkut në postin e kryetrajnerit, duke arritur marrëveshje me teknikun kosovar për të marrë drejtimin e skuadrës.

Përmes një komunikate zyrtare, klubi nga Klina bëri të ditur se Dallku rikthehet edhe një herë në krye të ekipit.

Sipas Dukagjinit, Dallku është një emër i njohur si për klubin, ashtu edhe për futbollin kosovar, ndërsa përvoja, profesionalizmi dhe përkushtimi i tij pritet të jenë elemente kyçe në përmbushjen e objektivave të skuadrës.

Klubi ka shprehur besimin se rikthimi i trajnerit do t’i japë një shtysë të re ekipit në sfidat e sezonit të ri.

Në fund të njoftimit, KF Dukagjini i ka uruar Armend Dallkut suksese në këtë kapitull të ri në krye të skuadrës nga Klina.

Së fundmi, Arsim Thaqi ishte trajner i Dukagjinit, i cili u shkarkua pas eliminimit nga kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku u mposht në rrethin e dytë nga Lugano e Superligës së Zvicrës.