Lajme

Zyra e kryeministrit reagon pas raportimeve për darkën me “pesë yje”

12/14/2021 22:46
nga:M K

Përparim Kryeziu, zëdhënësi i kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar pas raportimit se kabineti i Qeverisë Kurti ka shpenzuar 375 euro për një darkë në një restorant në afërsi të Prishtinës në maj të këtij viti.

Kryeziu ka thënë se darka e 31 majit ka qenë një darkë pune në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

“Në bazë të kërkesës për qasje në dokumente publike me numër protokolli 2726, mediumit Kallxo i janë dërguar faturat e shpenzimeve për dreka zyrtare të kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Për te dhene kontekstin e munguar ne artikullin mbi ate shpenzim (375€), njoftojme se darka e dates 31 maj 2021, ishte darke pune ne kuader te vizites zyrtare ne Kosove te Perfaqesuesit Special te BE-se per Dialogun dhe çeshtje te tjera rajonale te Ballkanit Perendimor, Miroslav Lajčák dhe Zevendesndihmes Sekretarit amerikan te Shtetit per Çeshtje te Evropes dhe Euroazise, njeherit i derguar i posaçem i Shteteve te Bashkuara te Amerikes per Ballkanin Perendimor, Mattheë Palmer”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Sipas Kryeziut, në këtë darkë pune, siç e quan ai, të pranishëm ishin edhe presidentja Vjosa Osmani, zëvendëskryeministri Besnik Beslimi, ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ambasadori i SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog.

Në artikullin e publikuar sot nga “Kallxo.com”, ushqim deti i shoqëruar me shampanjë ialiane e verëra kishin dominuar në tryezën e një restoranti në afërsi të Prishtinës ku po darkonin kabineti i Qeverisë Kurti në një natë maji.

Sipas fakturës që u shpenzua në emër të zyrës së kryeministrit, darka e cila u pagua në ora 22:51, kishte kushtuar hiç më pak se 375 euro.

96 euro në emër të Zyrës së Kurtit ishin paguar për një salmon i cili kishte kushtuar 12 euro, një oktapod 11 euro, dy levrek 22 euro si dhe tre biftek viçi në vlerë prej 51 eurove.

112 euro të tjera janë paguar për një shishe shampanjë italiane e llojit “Prosecco” që kishte kushtuar 16 euro dhe për 4 shishe verë të llojit ‘StoneCastle’ të cilat kishin kushtuar 96 euro.

8 antipasta speciale kabinetit të Kurtit i kushtuan 48 euro, 8 sallata rukolla 36 eurove dhe 8 supa ditore në vlerë prej 24 eurove.