Lajme

Zhvillimet Rusi – Ukrainë dhe negociatat për finalen Kosovë – Serbi, Arben Ahmeti: Rusia kurrë nuk do ta njoh Kosovën në KS të OKB

03/01/2022 15:41
nga:N M

Dy takime ka pasur ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq prej se kur Kurti ka ardhur në krye të Qeverisë, në përpjekje e sipër për të arritur marrëveshja finale ndemjet dy vendeve.

Takimi në nivel negociatorësh ka pasur më shumë e që ka pasur pak marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, siç është ajo për targat e dy vendeve me vendosjen e tiketave ngjitëse në simbolet e shteteve.

Kosova insiston se marrëveshja duhet të mbyllet me njohje reciproke dhe pa u prekur integriteti dhe territori i saj, përderisa në Serbi nuk është se ka një gatishmëri për këtë.

Por gjithçka sic duket ka ndryshuar për këtë çështje pas sulmeve të Rusisë mbi territorin e Ukrainës dhe qëndrimin e Serbisë karshi Rusisë që e konsideron si aletin më të fortë.

Bashkimi Evropian por edhe zyrtarë të lartë të SHBA dhe vendeve mike të Kosovës tashmë haptas kanë shprehur dëshpërimin e tyre në raport me Serbinë pas rreshtimit të kësaj të fundit përkrah Rusisë.

“Rënia e maskës së Vuciqit”, ka alarmuar shumë kryeqendra evropiane se me një president si Aleksandër Vuciq zor se mund të arrihet marrëveshja finale e meqë ky i fundit disa herë publikisht e ka përmendur se ka synime territoriale ndaj Kosovës, gjegjësisht veriut të Kosovës.

Kjo situatë ka ndezur ‘motorët’ e krerëve të institucioneve të Kosovës duke kërkuar kështu njohjen e pesë vendeve të BE që nuk e kanë njohur Kosovën dhe anëtarësimin në NATO pas situatës së krijuar Rusi – Ukrainë

Por kur pritet të ndodh një takim i ardhshëm ndërmjet Kurtit dhe Vuciq – Këtë s`e di askush

Procesi i dialogut me Serbinë mund të zvarritet edhe më tej, nëse situata Rusi – Ukrainë mund të përkeqësohet akoma.

Ish kryediplomati i Kosovës Skënder Hyseni, në një prononcim për GazetaBlic, vlerëson se para pushtimit rus të Ukrainës, Kosova, në rrafshin ndërkombëtar, kishte dialogun me Serbinë, tani krahas dialogut prioritet paralel është anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO.

“Pas pushtimit rus në Ukrainë bota nuk është më ajo që ishte në rrafshin global gjeostrategjik. Sfidimi i paqës përmes pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga ana e regjimit diktatorial dhe kleptokratik rus po tregon sa e brishtë është paqa në botë. Pasojat e këtij pushtimi po hetohen tashmë në gjithë botën në forma të ndryshme. Por, këto zhvillime po ashtu kanë unifikuar botën demokratike në përkrahje të popullit të Ukrainës dhe presidentit të saj Zelenski. Dialogu në kërkim të paqes është në çdo rrethanë i nevojshëm. Dialogu me Serbinë dhe rrjedhimisht takimet Kurti-Vuçiq duhet të vazhdojnë në linjë me kërkesën e SHBA-së dhe BE-së. Por derisa para pushtimit rus të Ukrainës, Kosova, në rrafshin ndërkombëtar, kishte dialogun me Serbinë, tani krahas dialogut prioritet parallel është anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO, si opcion i vetëm që garanton sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë, sidomos kur nuk është krejt e sigurt që Serbia do ta njoh Kosovën si shtet”, thotë Hyseni.

E gazetari Arben Ahmeti po e sheh edhe një pengesë të mëvonshme në rast se Kosova e Serbia merren vesh ëpr një finale të madhe që do të përfundonte me nënshkrimet e të dyja palëve në letër.

“Kosova nuk duhet të pranojë mbetjen në status quo. 20 vjet pas, mund të themi se pas këtyre lëvizjeve të Rusisë tash behët e paimagjinueshem anëtarësimi i Kosovës në OKB edhe në rast të marrëveshjes me Serbinë. Sepse nuk do të pranojë Rusia. Si rezultat i kësaj koha e humbur dhe status quoja i ka ndihmuar Serbisë”, ka thënë ai për Gazeta Blic.

Skender Hyseni: Kosova krahas dialogut me Serbinë, duhet të punojë për anëtarësimin në NATO

Si dhe a mund të anëtarësohet Kosova shpejt në NATO? Ekspertët thonë se FSK-ja është e gatshme