Lajme

Zgjedhjet Lokale në Rahovec – Një kandidaturë e konfirmuar, tri të tjerat në pritje

06/02/2021 19:17
nga:M K

Rahoveci është një komunë e cila shpeshherë ka ndryshuar qeverisjen, por mes dy partive, PDK dhe AAK. Pra, pas vitit 2009, ku hyri në fuqi ligji i ri zgjedhor, në këtë komunë kanë qeverisur vetëm dy partitë e lartëcekura, në bashkëqeverisje herë me LDK-në e herë me partitë më të vogla. Momentalisht, komunën që shtrihet në jug-perëndim të Kosovës e udhëheqë AAK-ja, respektivisht Smajl Latifi.

Ky i fundit, është i vetmi i konfirmuar si kandidat edhe për zgjedhjet e vjeshtës që po vie. Në fakt, partia ku ai është edhe nënkryetar, kishte thënë se kryetarët aktualë të komunave do të jenë sërish kandidatë në komunat respektive, shkruan GazetaBlic.

Latifi, mori drejtimin e kryeqytetit të bujqësisë në vitin 2017, duke mposhtur në balotazh atëbotë kundërkandidatin nga radhët e PDK-së, njëherit ish-ministrin e bujqësisë, Idriz Vehapin.

Kësaj radhe, ashtu si edhe në komunat e tjera, parti e fortë pritet të jetë Vetëvendosje. Triumfi në zgjedhjet qendrore të 14 Shkurtit, u ka dhënë vetëbesim strkuturave të kësaj partie, që besojnë se edhe në ato lokale, do të fitojnë sikur në ato kombëtare.

LEXO EDHE:

VV: Zgjedhjet lokale i fitojmë sikur ato qëndroret

Megjithatë, Vetëvendosja edhe më tutje nuk ka vendosur për kandidatin e saj në këtë komunë. Në “pole-position” gjendet kreu aktual i degës dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Korenica. Megjithatë, siç mëson GazetaBlic, brenda degës së kësaj partie kanë filluar të qarkullojnë edhe emra të tjerë, gjë që e kanë garën e brendshme në VV-në e Rahovecit, tejet interesante.

Korenica, në një prononcim për GazetaBlic deklaroi se si degë edhe më tutje janë në diskutime të brendshme, bashkë edhe me nivelin qendror, por që deri tani s’ka asgjë definitive.

“Ende s’ka asgjë definitive për emër. Në qendër po zhvillohen konsulta lidhur me këtë çështje. Ajo që është e rëndësishme, brenda Qershorit do të dihet gjithçka”, tha shkurtimisht ai.

Në anën tjetër, një tjetër parti e fortë në këtë komunë është edhe ajo e PDK-së. Përkundër faktit se GazetaBlic ka mësuar që emri më i mundshëm për kandidat është ai i ish-kryetarit Qazim Qeska, ky i fundit mohoi të ketë diçka zyrtare deri më tani, ani pse e pranoi faktin se do ta respektojë në maksimum vendimin e organeve drejtuese të partisë.

“Momentalisht nuk ka asgjë konkrete. Kryesia dhe këshilli drejtues do të vendosin për këtë. Sa i përket pyetjes suaj nëse jam emri favorit, nuk e di. Ajo që di është se PDK-ja, pra dega në Rahovec ka shumë kandidatë që mund të jenë seriozë për garë”, tha fillimisht Qeska.

Ndërkaq, nëse dëshira e tij është që të kandidojë, Qeska tha se dëshira dallon nga rrethanat, pra nuk varet prej tij, por shtoi se i pari i partisë momentalisht së bashku me strukturat organizative do të vendosin shumë shpejtë, sipas statutit të partisë.

“Nuk varet prej meje. Dëshira dhe rrethanat dallojnë. Por, unë do ta respektojë çdo vendim të krerëve të partisë, respektivisht zotit Hoxhaj”, përfundoi Qeska.

Në anën tjetër, partia e cila nuk kishte fituar në Rahovec që nga koha e tashmë të ndjerit, Esat Haxhijaha, LDK-ja, është ende e pavendosur.

Në një prononcim për GazetaBlic, nënkryetari i parë i kësaj dege dhe shefi i asamblistëve, Fehmi Cena, tha se nuk ka asgjë konkrete sa i përket emrit, ani pse zhvillimet janë në fundin e tyre, zhvillime këto që me gjasë do të mbyllen në vikend, ku edhe pritet të mësohet emri i kandidatit nga kjo degë.

“Sot dhe nesër do t’i kemi disa takime. Po punojmë edhe me nëndegët. Deri tash s’ka diçka finale që mund të thuhet, por deri në fund të javës besojmë do të dalim me emrin e kandidatit”, deklaroi Cena.

Kujtojmë se kryetar i degës është ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili përkundër tentimeve tona që të marrim një prononcim nga ai lidhur me këto zhvillime, ishte i paqasshëm.

/GazetaBlic/