Lajme

Zgjedhjet/ Deputeti i PDK-së: Tetori s’është mundësi, Kurti e do pushtetin me çdo çmim

07/04/2024 18:06
nga:N K

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua në lidhje me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në vjeshtë, derisa tha se nuk e sheh muajin tetor si kohë të përshtatshme përmbajtjen e tyre.

Kjo sipas tij, pasi qeveria Kurti do të qëndrojë në pushtet me çdo çmim.

“Unë nuk e shoh muajin tetor 2024 si kohë të përshtatshme për zgjedhje sepse Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij do të qëndrojnë në pushtet me çdo çmim, për të vazhduar me zhvatjen dhe vjedhjen e qytetarëve të Kosovës dhe për të keqpërdorur po ashtu buxhetin me kontrata njëburimore, subvencionime të kompanive dhe OJQ-ve të tyre, kapjen korruptive të energjisë dhe sektorëve të tjerë. Pas ndërrimit të këtij regjimi neokomunist, të cilin duhet ndalur me çdo kusht e mjet që të mos zërë rrënjë përmes kapjes së çdo segmenti shtetëror e shoqëror me mekanizma tipik diktatorial, komunist, siç janë komisarët partiak (që administrohen nga shefja grekofile e shpallur non grata në Kosovë në vitin 2014) në çdo segment të shtetit deri edhe te inspektorët në përfaqësitë diplomatike të vendit, duke e dubluar punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Për më tepër, për shkak të zgjedhjeve në SHBA, ata nuk do t’i nënshtrohen ndonjë presioni të madh ndërkombëtar”, deklaroi ai.

Tutje, ai tha se mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në muajin tetor është tendencioze për të nxitur reagimin opozitar dhe shoqërinë civile.

“Prandaj këto janë thjesht tendenca për të nxitur reagimin opozitar dhe shoqërinë civile me qëllim të abuzimit me procesin politik e ugjedhor”, tha deputeti.

Sipas Berishës, kryeministri Kurti ka për qëllimin të abuzojë me mërgimtarët që do të jenë prezent në Kosovë, të cilët sipas tij pretendon t’i mashtrojë me taksën e sigurimit të makinave.

“Mbase ky e ka synimin të abuzojë me mërgimtarët që do jenë prezent në Kosovë, e të cilët pretendon t’i mashtrojë sërish me taksën e sigurimit të makinave (për çka i ka ndarë edhe mbi tre milion, që do i vjedhë njëjtë si ato të mëhershmet), apo mbase do t’i bindë se ende po punohet në tre turne në rrugët e Kosovës, për t’ua lehtësuar jetën e tyre e qarkullimin sa të qëndrojnë këtu”, përfundoi deputeti i PDK-së Hisen Berisha.

/GazetaBlic/