Lajme

Zelensky urdhëroi rishikimin e strehimoreve

06/02/2023 19:42
nga:Y I

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky urdhëroi që të rishikohen të gjitha strehimoret ndaj sulmeve ajrore, pas vdekjes së tre personave që mbetën të bllokuar në rrugë, gjatë një sulmi rus.

Një vajzë nëntë vjeçe, nëna e saj dhe një grua tjetër, vdiqën në Kiev, pasi gjatë sulmit u përpoqën të hynin në një strehimore, e cila ishte e mbyllur.

Ky rast shkaktoi reagim të opinionit dhe Zelenski premtoi një përgjigje të ashpër, e cila, siç raporton Reuters, ishte e orientuar drejt kryetarit të bashkisë, Vitaly Klitschko.

Zelensky tha se ka urdhëruar ministrin e Industrisë Strategjike dhe ministrin e Brendshëm të Ukrainës, që të bëjnë “rishikimin e plotë të strehimoreve”.

Një ditë më parë, ai tha se strehimoret “duhet të jenë të qasshme” dhe se kjo është përgjegjësi e autoriteteve lokale.

Në mbledhjen e këshillit lokal, Klitschko pranoi se mban një pjesë të përgjegjësisë, por tha se fajin e kanë të tjerët, veçanërisht aleatët e presidentit.

Ai tha se shpenzimet për strehimoret në disa nga lagjet e Kievit, shumica e të cilave drejtohen nga anëtarë të partisë Shërbëtori i Popullit, ishin “jashtëzakonisht të pakënaqshme”. Ai, gjithashtu theksoi se administrata ushtarake e qytetit drejtohet nga personi i emëruar nga presidenti.

Kryetari i bashkisë së Kievit bëri thirrje për “përgjegjësi të përbashkët dhe të drejtë” dhe tha se ai mund të lobojë për largimin e shefit të qarkut, pas rishikimit të shpenzimeve për mirëmbajtjen e strehimoreve.

Në sulmin e së enjtes në Kiev, tre persona u vranë dhe 11 u plagosën. Ky ishte sulmi i shtatëmbëdhjetë ajror rus në kryeqytetin e Ukrainës, në muajin maj.