Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu drejtua sot Bundestagut gjerman. Ndonëse, ai pati kritika dhe akuzoi Gjermaninë se më shumë ka shikuar interesin ekonomik sesa atë të sigurisë.
Presidenti nga Kievi kritikoi Berlinin edhe për mbështetjen paraprake të gazsjellësit “Nord Stream 2” që synon të sjellë gaz natyror nga Rusia në shtetin më të fortë të Evropës.
Prandaj, ukrainasi i bëri thirrje Gjermanisë të mos lejojë që një mur i ri të ndajë Evropën, duke kërkuar mbështetje për anëtarësimin e vendit të tij në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“Ish-aktori, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan tha një herë në Berlin “Rrëzoni këtë mur.” Unë dua t’iu them tani, kancelar Scholz rrëzoni këtë mur. Jepini Gjermanisë udhëheqjen që meritoni dhe që do të bëjë krenarë brezat e ardhshëm. Na ndihmoni, ndihmoni paqen, ndihmoni çdo ukrainas, ndaloni luftën, na ndihmoni ta ndalojmë atë. Lavdi Ukrainës”.
Për Zelenskyn, Moska me eksportet dhe fitimet e mëdha nga bizneset nëpër Evropë financoi pushtimin e saj në Ukrainë, ndërsa tha që sanksionet për ndëshkimin e Rusisë ishin të vona për ta ndalur agresionin.
Kryeministri gjerman Olaf Scholz nuk komentoi kritikat e të parit ukrainas, por u zotua për vazhdimin e mbështetjes ushtarake dhe atë humanitare.
Nevoja për këtë përkrahje duket se do të jetë e gjatë pasi Kremlini refuzoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë për të ndalur sulmet në Ukrainë. Moska po kërkon që të dyja palët duhet të pajtohen për t’u dhënë fund armiqësive.


