Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka komentuar deklaratat e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, të cilët bënë thirrje që të shmangen spekulimet për sulmet që kanë ndodhur ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ai deklaroi se vlerësimi i situatës si “akt terrorist” nga Ministri i Drejtësisë, Xhelal Sveçla, është i bazuar në informata.
Kryeziu shtoi se deklaratat Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë janë të kuptueshme.
“Po mendoj që institucionet përkatëse të sigurisë e klasifikojnë një situatë në një formë apo tjetër dhe deklaratat tyre janë të bazuara në informacione të sigurta. Prandaj është e kuptueshme që e partnerëve tanë që të mbajtën një lloj retorike të balancuar”, deklaroi ai në Kanal 10.
Ai tha se sulmi që ka ndodhur mëngjesin e sotëm ndaj Policisë së Kosovës ka pasur për synim vrasjen e zyrtarëve që ndodheshin në veturën e sulmuar.
“Sot është dita e tretë radhazi që Policia e Kosovës është sulmuar nga gupe të ndryshme që janë të panjohura momentalisht. Sulmi i sotëm është sulmi i katërt në këto ditë dhe është sulmi që kësaj radhe është drejtpërdrejtë në pjesëtarët e policisë dhe për fat të mirë nuk ka shkaktuar të lënduar dhe viktima. Por, megjithatë që një veturë e policisë me pjesëtar të Policisë është qëlluar me plumba tregon se kësaj radhe kishte qëllim eliminimin dhe që më të drejtë janë quajtur akt terrorist”, shtoi ai.
“Nuk është rastësi fakti që ka një zingjir ngjarjes që ë kanë ndjek njëra tjetrën. Flet për një përpjekje të organizuar që në fillim ka pasur qellim frikësimin, por sot ka pasur qëllim likuidimin”, theksoi Kryeziu.


