Lajme

“Zbriti dhuna nga kati i dytë në të parin” – Rasim Selmanaj rrëfen tmerrin që paralajmëroi masakrën e Dubravës

05/19/2025 18:57
nga:G B

Në përvjetorin e 26-të të masakrës së Burgut të Dubravës, një prej krimeve më të rënda kundër të burgosurve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, në emisionin Five në RTV Dukagjini ka folur Rasim Selmanaj, njëri nga të mbijetuarit e këtij krimi të rëndë.

Selmanaj ka ndarë kujtimet nga dita kur u transferua nga burgu i Pejës në atë të Nishit, në prill të vitit 1999, ku thotë se filloi të përjetohej terrori sistematik ndaj të burgosurve politikë shqiptarë.

“Na kanë transferu nga burgu i Pejës në Nish më 29 prill 1999. Por dhuna filloi më herët. Më 26 prill kishin sjellë 45 të burgosur politikë shqiptarë, ndër ta Ukshin Hotin, Nait Hasanin e të tjerë”, kujton Selmanaj.

Ai thotë se prania e tyre u kuptua përmes britmave.

“Ne ishim në katin e dytë. Na torturonin çdo ditë. Por për disa ditë dhuna u ndal, e kuptuam më vonë pse. Sepse nuk kishin gardianë mjaftueshëm për të torturuar edhe ne, edhe katin e parë. Britmat, dhuna, rrahjet, gjithçka dëgjohej nga poshtë. E kuptuam se kishin sjellë të burgosur të rinj shqiptarë.”

Ndër të tjerash, Selmanaj ka përmendur emrin e Gavrila Milosavljeviqit, i përmendur në disa dëshmi si pjesëmarrës në masakër.

“E kam dëgju shumë herë për Gavrila Milosavljeviqin nga ish të burgosurit. Unë vetë nuk e njoh, por shumë e përmendin si një nga pjesëmarrësit në masakrën e burgut të Dubravës”, tha Selmanaj.

Masakra e Dubravës mbetet ndër episodet më të tmerrshme të dhunës shtetërore serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Edhe pas dy dekadash e gjysmë, drejtësia për këtë krim mbetet ende larg.