Lajme

“Zbardheni krimin në Gllogjan, kërkoni ndihmë edhe nga SHBA-ja”

11/29/2021 15:20
nga:N M

Ish – ministrja nga radhët e LDK-së Hykmete Bajrami ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha agjencitë që janë përgjegjesë për sigurinë në vend për rastin e Gllogjanit, ku mbetën të vrarë tre persona, raporton Gazeta Blic.

Bajrami ka shkruar në faqen e saj në “Facebook” se nëse Qeveria dhe këto institucione nuk po mund të zbardhin krimin e kryer në Gllogjan, duhet kërkuar ndihmë nga ndërkombëtarët.

Ndihmën sipas saj duhet ta kërkojnë sidomos nga SHBA.

Reagimi i plotë:

Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të japin përgjegjësi bashkërisht për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vrasjeve në Gllogjan të Deçanit.
Nëse institucionet tona s’po bien në gjurmë të vrasësit/vrasësve, atëherë duhet kërkuar ndihmën te miqtë tanë. Në radhë të parë te institucionet e sigurisë amerikane. Prej pasluftës janë mbi 400 vrasje të pazbardhura. Secila vrasje duhet të zbardhet dhe posaçërisht vrasja e dy nxënësve dhe shoferit që ndodhi të premten në Gllogjan të Deçanit.
Qeveria e Republikës së Kosovë nuk duhet të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë.