Lajme

Xi në Serbi premton thellim të bashkëpunimit dhe mbështetje për çështjen e Kosovës

05/08/2024 17:10
nga:Sh R

Është vendi i parë në Evropë me të cilin Kina po ndërton një komunitet me të ardhme të përbashkët – kështu e përshkroi presidenti kinez, Xi Jinping, Serbinë, gjatë vizitës së tij në Beograd, më 8 maj.

“Serbia dhe Kina e mbështesin fort njëra-tjetrën në interesat dhe shqetësimet e përbashkëta dhe ne kemi një marrëdhënie të fortë politike që kontribuon në këtë komunitet”, ka thënë Xi.

Bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai nënshkroi një deklaratë për ngritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve nga niveli i partneritetit strategjik në “ndërtimin e komunitetit të Serbisë dhe Kinës me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.

“Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve”, ka deklaruar Vuçiq për mediat, pas një sërë takimesh dypalëshe që zhvilloi me Xinë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Xi arriti në Beograd mbrëmjen e 7 majit dhe, përveç takimeve me Vuçiqin, dëshmoi edhe nënshkrimin e më shumë se 30 marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe të kontratave tregtare.