Sporti

Xavi: Nuk flas për emra, do t’i bëja një nder Ancelottit

01/13/2024 18:09
nga:E K

Real Madrid dhe Barcelona do të përballen të dielën në finalen e SuperKupës së Spanjës. Në konferencën për shtyp, trajneri Xavi Hernandez theksoi se lojtarët e tij janë të motivuar për ta fituar El Clasicon, ndërsa shtoi se një trofe përballë madrilenëve është skenari perfekt për një futbollist.

Ndër të tjera, Xavi kërkoi të mbante mister lojtarin që do t’i ngarkohet detyra për të ndaluar Vinicius Junior, që konsiderohet edhe si futbollisti më i rrezikshëm në radhët e Los Blancos.

“Ambienti është shumë i motivuar, të fitosh një titull përballë Real Madridit është skenari më perfekt për një futbollist. Do të tentojmë të bëjmë një ndeshje të mirë, edhe pse jemi më pak në formë në krahasim me Realin. Duam ta shijojmë finalen dhe të marrim titullin e parë të sezonit.

Nuk mbaj mend që të kemi fituar një ndeshje dhe të mos e kemi merituar. Na ka ndodhur e kundërta, kemi humbur edhe kur nuk e kemi merituar. Ndoshta, ndaj Realit kur fituam nuk e merituam plotësisht, por kjo ndodh një herë në 200 ndeshje.

Ne kërkojmë të jemi dominues dhe të kemi zotërimin e topit, ky është plani që ndjekim prej kohës së Cruyff. Vitin e kaluar zhvilluam një futboll shumë të bukur dhe kështu duhet të vazhdojmë, jemi besnikë të “cruyffismit”.

Kush do të mbulojë Vinicius? Nuk jap emra, kështu do t’i bëja një nder Ancelottit. Ai është një nga trajnerët më të mirë të historisë së futbollit. Ka fituar kudo ka shkuar dhe askush nuk flet keq për të. Kam respekt maksimal për Ancelottin.

Bellingham? Nuk mund të përqëndrohemi tek vetëm një lojtar pasi përndryshe do të çmendeshim. Të gjithë lojtarët e Realit kanë një nivel të jashtëzakonshëm. Patjetër që Bellingham është i shkëlqyer, do të veçoja fizikun e tij. Është lojtar që bën diferencën, këtë bëri edhe në El Clasicon e fundit”, u shpreh Xavi.