Mbrojtësi i djathtë i Manchester Cityt, Kyle Walker, beson se është më e vështirë të fitosh Premier Ligën sesa Ligën e Kampionëve.
31-vjeçari ka fituar tre tituj të Premierligës që kur iu bashkua Cityt në vitin 2017, por kurrë nuk e ka fituar kurorën evropiane – edhe pse fitoi një medalje nënkampioni në 2021.
Por reprezentuesi anglez është i vendosur të fitojë kompeticionin kryesor të klubeve të kontinentit përpara se të tërhiqet nga loja.
Ai tha për talkSPORT: “Kjo është ajo që i duhet këtij klubi (Liga e Kampionëve). E themi çdo sezon në katër vitet që kur kam qenë këtu. Ky klub duhet të konkurrojë me Manchester United, Liverpool. Ne duhet të shkojmë dhe të marrim një Ligë të Kampionëve.
“Ne ishim afër vitin e kaluar. Një skuadër më e mirë fitoi atë ditë. Ndjenja ime e sinqertë është se Premier League është ndryshe, është më e vështirë me 38 ndeshjet që luan gjatë gjithë sezonit.
“Liga e Kampionëve janë 13 ndeshje deri në finale. Për mua, unë dua Premier League. Liga e Kampionëve është diçka për të cilën ëndërroni dhe shpresoj që unë mund t’i realizoj ëndrrat e mia këtë vit.”
I pyetur se sa pret të vazhdojë të luajë, Walker tha: “Shpresoj edhe shumë vite të tjera. Unë kam ende kontratë deri në vitin 2024, e cila më çon në 34. Unë ndihem ende i mprehtë, ndihem ende i shpejtë.
“Unë dua Ligën e Kampionëve, nuk dua ta përfundoj karrierën time pa Ligën e Kampionëve.
“Klubi e meriton me atë që kemi arritur gjatë viteve të fundit. Shpresojmë më shumë tituj në Premier League dhe më shumë tituj argjendi.
“Personalisht, dua të vazhdoj të luaj futboll për aq kohë sa të mundem. E kam thënë më parë, derisa këmbët të më thonë se duhet të ndalem, pastaj do të ndaloj”, ka përfunduar Walker.


