Lajme

Vuçiq thotë se 90 për qind e planit franko gjerman i publikuar është i saktë

02/02/2023 13:03
nga:N M

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha gjatë seancës së posaçme të Kuvendit serb se qëllimi “i ditës së sotme nuk është që përgjegjësia të bartet në këtë institucion apo te populli”.

“Qëllimi është të dal para jush dhe qytetarëve dhe sinqerisht dhe haptazi të ndaj atë që na pret dhe çfarë po përballemi”, tha Vuçiq në Kuvend.

Më 2 shkurt, Kuvendi serb po debaton për raportin e Qeverisë në Beograd lidhur me negociatat me Kosovën.

Me të mbërritur në Kuvend, opozita serbe mbajti pankarta me fotografinë e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, me mbishkrimin “Do të përgjigjesh” si dhe “Vuçiq e tradhtove Kosovën”.

Në seancën për Kosovën në Kuvendin e Serbisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Seanca plenare po mbahet pasi presidenti i Serbisë ka pranuar propozimin nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçiq tha se nuk guxon të tregojë të gjithë planin evropian para Parlamentit, por vetëm pjesët më të këqija për Serbinë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se plani është korniza politike, momenti në të cilin ndodh gjithçka”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se ekipit diplomatëve evropianë dhe amerikanë, me të cilët ka biseduar më 20 janar në Beograd, i ka thënë se ka rezerva të mëdha për çështjen kyçe.

“Ka edhe gjëra të mira në plan, nuk do të flas për to”, shtoi ai.

Propozimi i BE-së, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Plani nuk është bërë publik, por u është prezantuar palëve.

Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Vuçiq konfirmoi se 90 për qind e asaj që është bërë publike për përmbajtjen e planit është e saktë.

“Në pikën 4, në paragrafin e dytë, shkruhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçiq tha se politika e Serbisë do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit me çdo kusht.

“Le të përmbahemi dhe të mos përgjigjemi ndaj provokimeve nëse nuk kërcënohen jetët dhe pronat e njerëzve”, theksoi ai.

Ai përmendi edhe sigurinë për serbët në Kosovë dhe tha se Beogradi do të insistojë, siç tha ai, në formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Serbisë përsëriti atë që i thanë diplomatët evropianë dhe amerikanë gjatë takimit në Beograd më 20 janar, se do të ketë pasoja nëse Serbia nuk e pranon planin evropian për Kosovën.

“Më kanë thënë se do të përballeni me pezullimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, jo vetëm me ndërprerjen e investimeve të mëtejshme, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si ata që nuk janë dakord me BE-në duhet të largohen”, tha Vuçiq.

Në fund të fjalës së tij në Kuvend, Vuçiq deklaroi se nëse Kosova bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, Kushtetuta e Serbisë do të jetë për të “libër i shenjtë”.

“Në mes të qëndrimit tim në pushtet, në mandatin e garantuar me Kushtetutë, e di se çfarë duhet të bëj, sepse nuk ka zgjedhje mes Vuçiqit apo Serbisë. Unë do të zgjedh Serbinë”, tha ai.

Ai shtoi se kapitullimi dhe dorëzimi nuk janë opsione.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve përmes një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme. Kosova kërkon që kjo marrëveshje të përfshijë edhe njohjen reciproke, ndërsa Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi – pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Kurti: Këto janë gjashtë kushtet kryesore për formimin e Asociacionit