Lajme

Vrasja në Malishevë, një muaj paraburgim për të dyshuarin

09/21/2023 15:05
nga:Sh R

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit I. Z., I cili dyshohet se ka vrarë një person në Banjë të Malishevës.

Në njoftim thuhet se sipas kërkesës, “me datë 20 shtator 2023 rreth orës 07:40 minuta në fshatin Bellanicë, Komuna Malishevë, në parkingun e marketit M.- M. me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B. nga Komuna e Suharekës, si shkak i një mosmarrëveshje të mëhershme. Derisa i pandehuri ndodhej në lokal së bashku me dëshmitarin B. E. dhe me të vërejtur se kishte arritur në parking tani i ndjeri A., i pandehuri ngritët nga tavolina, del jashtë dhe i afrohet tek automjeti i të ndjerit, hap derën e automjetit dhe menjëherë me armë gjuan disa herë në drejtim të kokës së tani të ndjerit, e kur i viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke gjuajtur prapë me armë në drejtim të trupit të tij dhe përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë”.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale, “Vrasja” dhe ” Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë. I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 20 shtator 2023 dhe do të zgjasë deri më 20 tetor 2023. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim nga Gjykata.