Lajme

Kuvendi mblidhet të enjten, mbahen dy seanca plenare

11/25/2026 14:20
nga:L J

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten, më 26 nëntor, dy seanca plenare.

Seanca e parë, e cila nis në orën 10:00, do të jetë vazhdim i seancave të mbajtura më 12, 13 dhe 19 nëntor, ku do të shqyrtohen disa pika të mbetura pa u përfunduar.

Në mesin e tyre është votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.

Po ashtu, deputetët do të votojnë edhe propozim-rezolutën për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Në rend dite janë edhe emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Ndërkaq, në orën 13:00 do të mbahet seanca e rregullt plenare, ku përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë edhe miratimin e buxhetit të Komisionit Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.