Lajme

Vlera e koeficientit – Sejdiu tregon se cilat janë pakënaqësitë e mjekëve

02/01/2023 18:38
nga:G B

Pleurat Sejdiu, nga Oda e Mjekëve të Kosovës, ka treguar se vlera e koeficientit për paga nuk i ka kënaqur pritshmëritë e mjekëve.

Ai në emisionin “Five”, ka thënë se mjekët kanë pritur që koeficienti të jetë 120 dhe jo 105 euro.

Sejdiu ka bërë të ditur se më shumë se gjysma (55%) e mjekëve me të cilët ka komunikuar Oda e Mjekëve, nuk e kanë parë të kënaqshëm koeficientin e paraqitur nga Qeveria, 30% prej tyre e kanë cilësuar si jo të mjaftueshëm kurse 15% si të kënaqshëm.

Sejdiu ka thënë se përveç koeficientit mjekët janë shprehur të shqetësuar për barazimin e mjekëve specialistë me psikologët klinikë specialistë.

“E dyta që ka shkaktuar zemërim më të madh ka qenë renditja e mjekëve specialistë me psikologë klinik specialistë, ata nuk kanë kompetenca as për përshkrimin e barnave… Nëse e kemi për bazë shkollimin bazik dhe specialistik ku ne si mjek kemi 6+5, janë deri në 12 vjet shkollim ata kanë shkollim pesë deri në gjashtë”, ka thënë ai.

Tutje ai është shprehur se Oda e Mjekëve ditët në vijim do të dalin me një qëndrim se a e pranojnë këtë koeficient apo jo.