Lajme

“Vjeshtë e nxehtë”/ Paralajmërohet presion ndaj Kosovës e Serbisë në dialog – ky është ‘çelësi’ i paqes

08/30/2023 14:47
nga:G B

Ditë më parë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, paralajmëroi një takim të nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në muajin shtator.

Edhe pse nuk janë dhënë afate kohore se kur mund të mbahet takimi, nga BE kanë kërkuar që Kosova e Serbia të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut.

Por, çfarë duhet të pritet nga ky takim i nivelit të lartë që pritet të mbahet dhe a do të ketë normalizim të raporteve mes dyja vendeve, siç deklaroi kryeministri Kurti, para zgjedhjeve në SHBA?

Ish kryenegociatori i dialogut, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se takimi do të shënojë fillimin e një “vjeshte tepër të nxehtë”, por që pa rezultate.

“Nga takimi i ardhshëm pritjet për ndonjë rezultat janë afër me zero por ky takim gjithsesi do të shënojë fillimin e një “vjeshte tepër të nxehtë” ku SHBA dhe BE do të insistojnë në implementimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe shtyrjen e proceseve përpara e ky proces pritet të jetë shumë i vështirë”, thotë ai.

Sa i përket deklaratës së Kurtit, Arifi vlerëson se ai me veprimet për targat e ato pasuese, ka kontribuar në vonesat ekzistuese.

“Ishte e habitshme ajo çka tha Kryeministri në lidhje me normalizimin përpara zgjedhjeve në SHBA kur me veprimet për targa dhe veprimet pasuese pikërisht Kryeministri ka kontribuar shumë në vonesat ekzistuese. Një kontribut të posaçëm po bën edhe tash me vonesat për shpalljen e zgjedhjeve në komunat veriore dhe kjo gjithsesi do të shkon në kosto të Kosovës”, thekson ai për Gazeta Blic.

Por, ai thotë se vështirë se do të ketë diçka konkrete përpara zgjedhjeve në SHBA.

“Megjithatë, vështirë të besohet se do të ketë diçka konkrete përpara zgjedhjeve në SHBA por edhe në BE edhe pse kjo do të ishte një punë shumë e madhe, aq më parë kur të gjithë e dinë se qëllimi i Vuçiqit dhe njerëzve të tij është që të mos ketë asnjë progres as në vitin 2023 as në vitin 2024”, deklaron Avni Arifi.

Ndërsa, analisti politik, Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se është vendimtar zbatimi i planit franko-gjerman.

“Është vendimtare tani adresimi i mos zbatimit të planit Franko-Gjerman. Ai plan dhe aneksi duhen të zbatohen urgjentisht sipas marrëveshjeve dhe jo pjesërisht”, thotë ai.

Sipas Racit, s’mund të ketë asnjë lëvizje, pa u njohur Kosova de facto nga Serbia.

“Nuk mund të ketë asnjë lëvizje tjera pa njohur Kosovën de-facto Serbia, duhet zotim që nuk do ta sfidojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duhet respektuar kufijtë dhe simbolet e shtetit të Kosovës”, deklaron Gazmir Raci.

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, thotë se në shtator do të bëhet presion ndaj Kosovës e Serbisë për arritjen e marrëveshjes së paqes mes dyja vendeve.

“Në shtator planifikohet që mbi Kosovë dhe Serbi të bëhet presion për arritjen e marrëveshjes së “paqes” midis dy vendeve. Në këtë anë, duke barazuar palët, shkon edhe deklarata nga ana Presidentit të Francës, z.Macron, nga Schal Mischel, si dhe nga z Lajçak. Të tretë e bënë barazinë e përgjegjësisë midis Kosovës dhe Serbisë. Parimisht, deklarata e Macronit qëndron sa i përket rrezikut për sigurinë dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, shprehet ai.

Kelmendi thekson se Kosova nuk është faktor i destabilitetit në rajon dhe se veprimet e Qeverisë në veri synonin ligjshmëri dhe rend e siguri.

“Mirëpo, nuk është Kosova faktor i destabilitetit dhe i krijimit të rreziqeve për rajon. Veprimet e Qeverisë së Kurtit në veri të Kosovës mund të interpretohen në forma të ndryshme. Por, bazë e saj është Kushtetuta e Kosovës. Pikësynimi ishte ligjshmëria dhe rendi e siguria. Kjo mund të interpretohet dhe kundërshtohet. Por, kjo nuk është bazë e rrezikimit të paqes në rajon. Çdo shtet e ruan territorin e vet. Tash edhe po vërtetohet”, potencon profesori për Gazeta Blic.

Sipas tij, është Serbia ajo që shkakton rreziqet në rajon dhe synon ndarjen e Kosovës me Asociacion.

“Shteti serb dhe politika neoshoveniste sllavomadhe e Beogradit është shkaktar i rreziqeve në Ballkanin Perëndimor. Serbia synon ripushtimin e Kosovës ose ndarjen e saj me Asociacion me pushtet ekzekutiv”.

Më tej, Kelmendi thotë se presioni duhet të bëhet ndaj Serbisë, pasi ajo vazhdimisht e trajton Kosovën territor të saj dhe se çelësi i paqes është që ajo ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

“Këtej, kërkohet që presioni kryesisht të bëhet ndaj shtetit serb. Gjithë kohën sa Serbia e trajton Kosovën territor serb dhe pretendon për ta ripushtuar, paqe nuk do të ketë në këtë anë. Serbia kërkohet ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Këtu është çelësi i paqes”, shton ai.

Profesori përmend dhe deklaratën e Bërnabiq në Bled, që thotë se tregon ku qëndron rreziku dhe e politika e Vuçiq s’ka ndryshim nga ajo e Millosheviqit.

“Deklaratat e tilla tregojnë se ku qëndron rreziku. Në Kushtetutën serbe është sanksionuar se Kosova është Serbi. Në këtë drejtim po bëhet politika në Beograd dhe po nxirren qëndrimet neoimperisliste. Politikanët serbë, një pas tjetrit, nga neo-putinisti Vuçiq e Daçiçi e deri tek qytetari më i thjeshtë, e shohin Kosovën në Serbi. Asnjë ndryshim nuk e kemi nga politika e Millosheviqit”, përfundon profesori Muahmet Kelmendi./Gazeta Blic/

 

Deeskalimi në veri/ Kërkesa e BE-së për mbajtjen e zgjedhjeve, nga Qeveria flasin për Gazeta Blic

Zgjedhjet e reja/ Peci kërkon takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani

Nesër takimi i fundit i Grupit Punues për udhëzimin administrativ- Çfarë pritet të bëhet rreth zgjedhjeve të reja në Veri?