Lajme

Deeskalimi në veri/ Kërkesa e BE-së për mbajtjen e zgjedhjeve, nga Qeveria flasin për Gazeta Blic

08/30/2023 12:40
nga:G B

Qeveria e Kosovës ka bërë hapa për deeskalim të situatës në veri, duke tërhequr 50 për qind të policisë në katër komunat në veri.

Por, Bashkimi Evropian ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet në këto komuna.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se policia janë larguar dhe është përpiluar edhe udhëzimi administrativ për zgjedhjet.

“Republika e Kosovës, në përputhje me dakordimin e 10 korrikut, tashmë ka ulur për 50% praninë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale, në përputhje me vlerësimet mbi situatën e sigurisë, ndërkohë që në fillim të kësaj jave ka dalë në konsultime publik edhe udhëzimi administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme, e në të cilin përshkruhen hapat që do të dërgonin deri tek nisma për largimin e një kryetari komune”, thotë ai.

Kryeziu thekson se që prej dy muajsh nga incidenti i fundit në këto komuna, nuk ka pasur protesta të dhunshme dhe se deeskalimi ka ndodhur.

“Kanë kaluar dy muaj prej incidentit të fundit në këto katër komuna, dhe prej atëherë nuk ka as protesta të dhunshme, ndërkohë që është shtuar numri i punëtorëve në ndërtesat komunale. Gjë që dëshmon se deeskalimi praktikisht ka ndodhur”, potencon zëdhënësi i Qeverisë për Gazeta Blic.

Ai shton se zgjedhjet që do të jenë të jashtëzakonshme në këto katër komuna, duhet të jenë të lira dhe demokratike, me fushatë fer dhe të hapur.

“Në zgjedhjet e radhës, të cilat do të jenë të jashtëzakonshme, në këto katër komuna duhet të ketë një fushatë zgjedhore fer dhe e hapur, dhe të jenë të lira dhe demokratike”, deklaron Përparim Kryeziu./Gazeta Blic/