FFK ka thirrur Kuvend të Rregullt Zgjedhor me 6 prill, me ç’rast është bërë bujë e madhe në opinionin kosovar.
Sipas ish sekretarit, ish zv sekretarit dhe njohësve ligjor të vendit, FFK ka shkelur statutin dhe tashmë gjithçka ka marrë kahje tjetër – pasi në të gjitha debatet po diskutohet në lidhje me atë se a duhet apo jo të mbahen zgjedhjet, shkruan GazetaBlic Sport.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, me anë të një komunikate, ku shkruajnë se po ndjekin me vëmendje zhvillimet e fundit në FFK.
Ja reagimi i KOK’ut:
“Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka thirrur Kuvendin e Rregullt Zgjedhor për t’u mbajtur më 6 prill 2022.
KOK si institucioni më i lartë sportiv në vend, kërkon që të zbatohen aktet normative të FFK-së bazuar në dispozitat e dala nga Ligji i Sportit.
KOK, e ka për obligim të monitorojë Kuvendet e Rregullta të Punës dhe ato Zgjedhore të Federatave Sportive, por jo edhe të interpretojë statutet e Federatave.
KOK beson se Federata e Futbollit e Kosovës, si më masivja në vend, do ta kalojë këtë situatë në frymën e “fair play-it” sportiv”, shkruhet në njoftim.
/GazetaBlic Sport


