Dyshohet se ishte i dehur, gjyqtari zëvendësohet pas pjesës së parë në ndeshjen e Kristjan Asllanit!

Një episod i pazakontë ka ndodhur në ndeshjen e AFC Champions League Two mes Al Jazira dhe skuadrës iraniane Gol Gohar, ku në qendër të vëmendjes përfundoi arbitri kryesor, Hanna Hattab.

Gjyqtari sirian u zëvendësua në pushimin mes pjesëve nga arbitri i katërt, Ammar Abu Alou, pas disa vendimeve të çuditshme që ngritën dyshime për gjendjen e tij gjatë takimit.

Momenti më i diskutueshëm ndodhi në minutën e 32-të, kur pas një ndërhyrjeje në mesfushë, Hattab ndëshkoi me karton të verdhë portierin e Al Jaziras, Ersin Destanoglu, ndonëse ai nuk kishte qenë i përfshirë në aksion. Pas konsultimit me asistentët, vendimi u anulua.

Situata u tensionua edhe më shumë, pasi nga kampi iranian pati protesta të ashpra dhe kërcënime për të mos e vazhduar ndeshjen. Madje, nga pala iraniane u ngritën pretendime se arbitri nuk ishte në gjendje normale dhe se ishte parë duke konsumuar alkool para takimit. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Në këtë përballje ishte i përfshirë edhe futbollisti i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, i cili u aktivizua në minutën e 75-të.

Pavarësisht gjithë kaosit me gjyqtarin, Al Jazira arriti ta fitojë ndeshjen me rezultat 1-0.

/GazetaBlic Sport/