Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka quajtur historike vizitën e tij në Izrael, duke u shprehur se duhet të vendoset partneritet strategjik mes të dyja vendeve.
Ai bëri të ditur se në cilësinë ekryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, bashkë me kolegët e tij nga Kuvendi i Kosovës, sot kanë takuar kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset), grupin homolog të miqësisë Izrael-Kosovë, komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje si dhe shumë deputetë të tjerë.
Teksa tha se Kosova është falënderuese për vendimin e Izraelit për njohjen e Kosovës, Hoti tregoi se gjatë bisedimeve atje është folur për heqjen e vizave ndërmjet këto dy shteteve.
Po ashtu, Hoti tha se kanë kërkuar që sa më parë të hapet ambasada izraelite në Prishtinë.
“Kosova është falënderuese për vendimin madhor të Izraelit për njohjen e Kosovës në shtator të vitit 2020, që ndodhi në bisedën nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit janë shkëmbyer vizita dhe janë nënshkruar marrëveshje në disa sektorë”, shkroi deputeti i LDK-së në Facebook.
“Në takimin me Kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) shtruam këto çështje për diskutim: (1) heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të udhëtojnë lirshëm, e cila gjë u mirëprit jashtëzakonisht mirë; (2) kërkuam që sa më parë të hapet ambasada izraelite në Prishtinë; (3) propozuam nënshkrimin e disa marrëveshjeve ekonomike për të nxitur bashkëpunimin tregtar dhe investimet mes dy vendeve tona, siç janë: marrëveshja për mbrojtjen e investimeve, marrëveshja për tregti të lirë dhe marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë mes dy vendeve; (4) marrëveshja për bashkëpunim mes dy parlamentave”.
Ai tha se kryetarit të Kuvendit të Izraelit (Knesset) i kanë dorëzuar ftesën për vizitë në Prishtinë, e cila duhet të ndodh në muajin tetor.
“Të gjitha këto marrëveshje vendosin bazat për të hyrë në bashkëpunim strategjik me Izraelin, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në shumë fusha të tjera”, përfundoi ai.


