Lajme

Vizita e Kurtit në SHBA, deputetja e LDK-së: I vizitoi korporatat që i kritikonte si majtist i dikurshëm radikal

05/17/2022 12:02
nga:G B

Që nga 6 maji i këtij viti, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në SHBA.

Ai gjatë qëndrimit në SHBA ka pasur disa vizita në disa kompani, por deri më tani Kurti nuk ka pasur takime me personalitete të larta politike.

Derisa Kurti po vazhdon vizitat e tij në SHBA, ai në Kosovë ka marrë shumë kritika nga partitë opozitare e ish-bashkëpunëtorë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, për FrontOnline, tha se vizita e Kurtit në SHBA është për keqardhje.

Ajo tha se asnjëherë nuk ka ndodhur që një kryeministër i Kosovës të mos pritet nga askush.

“Rast unik për ta vlerësuar si vizita më keqardhëse e një lideri të Kosovës që nga vitet e ’90-ta të shek. XX. Kurrë nuk ka ndodhur të mos pritet një president a kryeministër, bash nga askush”, deklaroi ajo.

Bunjaku tha se deri më tani nga vizita e Kurtit në SHBA nuk ka pasur asnjë marrëveshje konkrete.

“Asnjë marrëveshje konkrete. Ëndërr e përmbushur personale e Albin Kurtit si Albin, por jo si Kryeministër. I pa korporatat e inovacionit teknologjik e global, ato që i kritikonte si majtist i dikurshëm radikal, duke buzëqeshur si neoliberal kapitalist”,  tha Bunjaku.

Për vizitën e Kurtit në SHBA, mbrëmë ka shkruar edhe Shpend Ahmeti,  i cili dikur ishte pjesë e VV’së.

Ai tha se është lajm i keq mungesa e vizitave të rëndësishme atje nga ana e Kurtit.