Tre trofe në dy sezone. Kampion në vitin 2017 dhe kampion e fitues i Kupës në vitin 2018. Dominim absolut i futbollit vendor me një rekord të frikshëm 35 pikë para konkurentit për titull, Vardarit. Kjo është periudha e Visar Bexhetit në drejtimin e Shkëndijës e shkruar përmes numrave.
Pikërisht Bexheti ditëve të fundit në opinion e media përmendet si opsion për t’iu besuar drejtimi i Shkëndijës.
Sipas informacioneve të “Fol.mk” kthimi në dominimin e skenës vendore e rezultatet edhe në skenën ndërkombëtare do t’i besohen atij që drejtoi klubin në periudhën më të suksesshme.
Rënia e Shkëndijës u shfrytëzua nga Shkupi e Struga që fituan titullin kampion, por nëse Shkëndija kthen rendimentin e të kaluarës, tetovarët sërish do ishin ekipi numër një në vend.
Nga ky këndvështrim, rikthimi eventual i Visar Bexhetit në krye të klubit, do të ishte “problem” për rivalët për titull.


